Rol i ri për mërgatën

Ardian Vehbiu


Jo rrallë mërgatën e mbajnë për dyfish periferike: ndaj vendit të origjinës dhe vendit mikpritës, të dënuar ta gjejë vetveten vetëm në gjeste konservatore e ceremoniale, kremtime të lodhura të flamurit dhe të krenarisë kombëtare. Shembujt për këtë nuk mungojnë, madje janë shprehje e gjithçkaje të trishtuar fsheh në vete ikja nga atdheu, largimi, tretja në dhé “të huaj”. Në këtë kuptim, mërgatës shqiptare të këtij kapërcyelli shekujsh i duhet të përballet jo vetëm me vështirësitë e njohura të jetës së përditshme, por edhe me kërcënimin e këtij imazhi pothuajse mitik, që ndonjëherë e fton të mbetet robinjë ritualesh të kapërcyera dhe pozash ideologjike të mykura. E vërteta është se, nëse dramën e një mërgate e përkufizojmë edhe me anë të largesës nga dheu mëmë, atëherë rrethanat e sotme ndryshojnë themelisht nga të djeshmet; pse teknologjia e telekomunikimit krijon mundësi krejt të reja marrëdhëniesh ndërpersonale dhe gjeografia nuk është më faktor i pashmangshëm në konfigurimin e bashkësive kulturore. Shqiptarët e mërgatës tani lidhen pothuajse përditë me kë janë të interesuar të lidhen: familjarë e kolegë shpërndarë anembanë botës, shokë e miq të vjetër e të rinj. Shqiptaria virtuale i është mbivendosur Shqipërisë reale, por nuk përputhet me të. Në një kohë që bota është ulur tashmë këmbëkryq në Shqipëri dhe proceset globalizuese pothuajse kanë dalë kontrolli, mërgata shqiptare sheh TV satelitar shqip, lexon shtypin e Tiranës në Web, blen rëndom libra, filma e muzikë shqiptare, komunikon lirisht me anë listash postare e forumesh të lira në Internet. Gjithnjë e më shpesh përkatësia në kulturën kombëtare po bëhet rezultat i një akti të vetëdijshëm, i një zgjedhjeje të vullnetshme, i një parapëlqimi të arsyetuar. Në këtë pikëpamje, jemi vite dritë larg nga imazhi i krijuar për mërgatën gjatë viteve të totalitarizmit, kur në mendjet e shumë shqiptarëve bashkatdhetarët “e përtejmë” shiheshin si të ishin banorë të një galaktike tjetër. Nuk na mbetet veçse të vetëdijësohemi për këtë status të ri.

Megjithatë, mërgata shqiptare e ka një histori të vetën, krejt të lavdishme: që me Rilindjen kombëtare shtjelluar thuajse tërësisht larg Shqipërisë; e më pas me personalitetet e shquara të shqiptarëve shpërndarë në Evropë e përtej oqeanit - në SHBA, Kanada, Argjentinë, Australi e gjetiu. Deri sa Shqipëria mbetej ende pjesë e botës së qytetëruar, komunikimi njerëzor midis mërgatës dhe atdheut ishte ende i mundshëm, aq sa sot habitemi kur mësojmë për këtë apo atë personalitet të periudhës së Pavarësisë e më pas të Mbretërisë që ka kaluar kohë në mërgim. Të gjithë këta burra e gra në kohën e tyre i çuan Shqipërisë gjithçka mundën të gjejnë të mirë e të vyer në Perëndim - idealet e demokracisë dhe të lirisë; ekspertizën teknike dhe administrative; vizionin shpirtëror. Të tjerë shqiptarë mërgimtarë i sollën botës gjithçka të vyer kishin marrë me vete nga Shqipëria - dashurinë për dije; virtytin e pashembullt; integritetin etik; këmbënguljen në biznes; mençurinë dhe nuhatjen e shkëlqyer. Ky komunikim, nga i cili Shqipëria kurdoherë doli e fituar, u ndërpre në fillim me Luftën e Dytë Botërore e pastaj përfundimisht me vendosjen e regjimit totalitar dhe rrethimin e Shqipërisë me mure. Disa dukuri negative në mërgatën shqiptare të fillimit të viteve nëntëdhjetë mund të shpjegohen edhe me këtë nevojë për të kompensuar disi shurdhërinë e periudhës së Luftës së Ftohtë; njëlloj sikurse në tiparet e admirueshme të kësaj mërgate nuk mund të mos shihet vijimi i një tradite të çmuar të dhjetëra e dhjetëra vjetëve luftë për ta mbajtur të gjallë kulturën shqiptare jokomuniste e antikomuniste, si dhe trashëgiminë e drejtpërdrejtë të Rilindjes.

Siç ndodh gjithnjë në raste të tilla, historia e pasur rrezikon t’ia zërë frymën të sotmes dhe të pengojë vizionimin adekuat të së ardhmes. Komuniteti shqiptar në botë e veçanërisht në Amerikën e Veriut ka pësuar shndërrime rrënjësore gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit; dhe jo vetëm për shkak të dyndjes së mërgimtarëve të rinj prej Shqipërie e visesh shqiptare të ish-Jugosllavisë, por edhe ngaqë këto ndryshime demografike e bëjnë të detyruar rishikimin e misionit që i ka vënë vetes kjo mërgatë, për sa kohë vetidentifikohet si e tillë. Një pjesë e mirë e të ardhurve rishtas është me arsim të lartë e me interesa kulturore të shumanshme; për të gjithë këta, imazhi romantik i atdheut, aq karakteristik për brezin e mëparshëm, po zhvendoset në plan të dytë nga nevoja për t’i dhënë këtij atdheu formë dhe dinjitet në kushtet e globalizimit. Në rrethana të tilla, ruajtja nuk mund të konsiderohet më si mision përparësor i mërgatës dhe i institucioneve të saj; as praktikimi i shqiptarizmit si ritual ngushëllues. Mërgata shqiptare sot po e riprodhon veten orë e çast nëpërmjet një marrëdhënieje shumëplanëshe me Shqipërinë dhe me kulturën shqiptare; prandaj edhe institucionet e mërgatës, duke filluar nga shoqatat kulturore, por edhe gazetat, televizionet, forumet internetëse, kanë interes t’i përcaktojnë objektivat pikërisht në kuadrin e këtyre marrëdhënieve.

Shndërrimi më domethënës në pozicionin shoqëror të mërgimtarit sot është mundësia për t’u zhvendosur nga periferia e dyfishtë e dikurshme drejt një zone kontakti ose interface midis kulturave. Ky është një pozicionim sa prestigjioz, aq edhe i pamundshëm për t’u përballuar me automatizmat e vjetra folklorike të festimit të Ditës së Flamurit, vajzave me kostume kombëtare dhe orkestrinave me saze e zurna; meqë mërgata tanimë nuk ka më pikësynim thjesht të ruajë vetveten nga asimilimi në kulturën mikpritëse, por të ndërhyjë aktivisht në marrëdhëniet midis dy kulturave, ndoshta edhe duke dhënë ndihmesën e vet pozitive. Edhe triumfi i politikave multikulturaliste në SHBA dhe në Kanada, që u kanë mundësuar komuniteteve etnike të lëvrojnë kulturat e tyre e të mbrohen nga asimilimi, nuk ka pse të na zhvendosë vëmendjen nga shansi i papërsëritshëm që na jepet për të rregulluar fluksin e shkëmbimit të informacionit midis Shqipërisë dhe vendeve ku jetojmë. Shqiptarë sipërmarrës të zotët, organizatorë të palodhur dhe pionierë nismëtarë po e luajnë këtë rol individualisht; një numër shoqatash po lëvizin bukur në këtë drejtim; armiku kryesor mbetet inercia, ose ngushëllimi gënjyes që gjejmë në përsëritjen.

Përhapja në masë e teknologjisë së telekomunikacionit jo vetëm e ka kompaktësuar mërgatën dhe ia ka shtuar vetëdijën e identitetit të vet, por ka përcaktuar deri edhe natyrën e nyjtimit të mendimit kulturor, ideologjik dhe politik ndër shqiptarët e mërguar. Struktura të tilla si Interneti - që gjithnjë e më tepër funksionojnë si armatura të bashkësive virtuale të shqiptarëve - nuk e favorizojnë ruajtjen e hierarkive tradicionale, as zhvillimin e hierarkive të reja. Nëse mërgata shqiptare tradicionale, e organizuar në shoqata dhe institucione të tjera, u bindej gjithnjë parimeve hierarkike dhe sistemeve vertikale të përftimit dhe të ushtrimit të autoritetit, mërgata e re është kryesisht e themeluar mbi rrjetëzimin (networking), ose të gjitha ato struktura horizontale, jo hierarkike, që mbahen në këmbë si kanale për shkëmbim informacioni, jo si linja të përcjelljes së autoritetit. Natyrisht, rrjetëzimi ekziston edhe në rrethana shoqërore tradicionale, por atje mbetet kurdoherë dytësor ndaj hierarkive dhe komunikimit vertikal; vetëm realiteti virtual i telekomunikimit ia ka dhënë hapësirën e nevojshme për t’u shtjelluar në plotësinë e vet. Hierarkitë - dhe për këtë Shqipëria është vetë më i qarti i shembujve - korruptojnë; dhe kur nuk korruptojnë, kërkojnë rezerva të pashtershme energjish shpirtërore për t’u mirëmbajtur e riprodhuar. Përkundrazi, rrjetëzimi në komunitetet virtuale bën të mundur që energjitë të shfrytëzohen në mënyrë më krijuese, dhe vetë komunikimi shndërrohet në një truall pjellor për lëvrimin e shqiptarizmit.

Në këtë mënyrë, po ajo teknologji që e ka bërë fshatin global realitet dhe i ka ekspozuar ndaj rrezikut të margjinalizimit dhjetëra kultura kombëtare si ajo shqiptarja në Shqipëri e gjetiu, po bën të mundur edhe ripërmasimin e komuniteteve shqiptare në mërgim, duke ua sjellë identitetin në trajta të reja dhe krejt të efektshme. Shqiptarët e mërguar - të suksesshëm e të pasuksesshëm, të përshtatur e të papërshtatur, të integruar e të paintegruar, biznesmenë e të papunë - komunikojnë tani lirisht së bashku përtej formave të vjetra të mëhallës, kafenesë, bilardos, klubit e kishës; e ky komunikim nuk po kryhet më si pasojë e ndonjë inferioriteti përballë asimilimit fatal nga kultura pritëse, as e ndonjë mohimi neurotik të realitetit të përditshëm. Mërgata shqiptare e shekullit të ri po bëhet kështu gati ta kapërcejë përfundimisht romantizmin dhe ritualin kombëtarist, për t’u përfshirë gjerësisht në përpunimin e kulturës shqiptare njëkohësisht kombëtare dhe globale.


Albanian TRIBUNE, 10 prill 2004