Momentet dhe mjediset ku takohen mes tyre shqiptarët “e këtushëm” me shqiptarët “e atjeshëm” e kanë gjithnjë një frymë kremtuese, pothuajse sakramentale; si të ishin rite të rikonstituimit të atdheut total, ose të kalimit nga kontingjenca e Shqipërisë në transhendencën e Shqiptarisë. Shkëmbimet e informacionit në raste të këtilla janë gjithnjë të ngjeshura me fakte e krahasime; por shpesh informacioni s’është asgjë më tepër se një maskë e nxituar por e domosdoshme; pas së cilën fshihen keqardhja, malli, zhgënjimi, ndonjëherë zilia e gjithsesi çarja pothuajse ekzistenciale që sjell me vete gjaku i shprishur, thërrmimi, harresa.
Përkushtimin ndaj atdheut ose kultit të së shkuarës së vet tradicionalisht mërgata e ka shprehur në vullnetin për ruajtjen e gjuhës, zakoneve, organizimit familjar e mikrosocial, veshjeve, shijeve. Vetë Shqipëria, edhe kur ka munguar drejtpërdrejt, e ka nxjerrë kokën në një këngë, ose një urim a bekim a sharje; herë-herë në një mbiemër të mbetur e herë-herë emër; ose edhe në portretin kitsch të Skënderbeut në mur, krah për krah pllakateve të Roberto Baggio dhe Britney Spears. Ruajtja e identitetit kombëtar në mërgatë merret kurdoherë seriozisht, madje edhe nga brezat e rinj, që formalisht duan t’u distancohen të vjetërve.
Mirëpo sot telematika i ka shpërthyer gardhet gjeografike dhe kulturore midis vendeve, popujve dhe filozofive të ndryshme; aq sa kufijtë, më shumë se gjeografikë, po shndërrohen në hendekë ndarës të përvijuar midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë; atyre që mundin dhe atyre që nuk mundin; atyre që duan dhe atyre që nuk duan. Ruajtja e kombëtares po imponohet si problem i mprehtë edhe në Shqipëri, përballë baticës së papërmbajtur e shpesh të pamëshirshme të globalizimit. Ndërkombëtarizimi i eksperiencave kulturore, sidomos për më të rinjtë, i ka afruar shqiptarët e atjeshëm me të këtushmit edhe në aspektin e ballafaqimit me të huajën, joshqiptaren, tjetërsuesen. Prandaj edhe koncepti i atdheut gjeografik vjen e distancohet gjithnjë e më dukshëm nga koncepti tjetër, më pak i kapshëm, por gjithnjë e më themelor, i atdheut virtual.
Kur takohen shqiptarët “këtej” me ata “andej” distanca gjeografike shfaqet para së gjithash si një lloj tensioni psikologjik, ose duet a duel, herë i hijshëm herë i pakëndshëm, midis komplekseve të superioritetit e të inferioritetit. Shpesh bisedat u ngjajnë seminareve informale të ekonomisë politike, sa kohë përqendrohen në kontrastet midis mirëqenies dhe dëfrimit, mundimit dhe shpërblimit, ditës dhe natës. Sikush e ka interpretimin e vet për fabulën e lashtë të gjinkallës dhe të milingonës, edhe pse gjykimet morale nuk janë aq drejtvizore sa ç’mund të kujtohen. Shumë shqiptarë të mërgatës kthehen nga vizitat në dheun mëmë të mrekulluar nga shpengimi ose shkujdesja e jetës së atjeshme; por njëlloj të lemerisur nga anomia, ose parregullsia dhe kaosi dhe paqëndrueshmëria e rendit publik dhe korrupsioni i kthyer në art. Përkundrazi, të atjeshmit jo rrallë qëllon të shkelin në tokat e mërgatës me sigurinë morale të dikujt që ka zgjedhur të mos e braktisë atdheun në çaste të vështira; por edhe duke pohuar, modestisht, pamundësinë për të përballuar zallamahinë e vrazhdë të NYC ose acarin aseptik të Toronto-s. Rastësia e të qenit këtej dhe andej kthehet kështu në një vijë ujëndarëse personalitetesh, filozofish, madje edhe vetë konceptesh për ekzistencën.
Këto vite, mërgata shqiptare në Evropë dhe përtej oqeanit e ka gjetur veten gjithnjë e më shpesh brenda një përmase etike, duke e konsideruar veten si trashëgimtare të atij idealizmi i cili në Shqipërinë mëmë është shkelur me të dy këmbët. Moraliteti i mërgatës, në të vërtetë, lidhet më tepër me përfshirjen e saj në struktura sociale të vendeve pritëse, të cilat funksionojnë prej kohësh falë parimeve të shëndosha etike sipas të cilave janë themeluar e riprodhohen edhe sot e kësaj dite. Këto struktura që shqiptarëve të mërgatës u duken të natyrshme, Shqipërisë i mungojnë; andaj edhe jeta e atjeshme na duket disi amorfe, e improvizuar, e rrëmujshme; deri në atë shkallë sa edhe liria të konceptohet ndryshe - si përmasë atje e jashtme, këtu e brendshme, të paktën deri në atë moment kur vjen puna për të vënë dorën në pasaportë...
Por lehtësia e shkëmbimit të informacionit e ka riformuluar tashmë gjeografinë e shqiptarisë; duke e konfirmuar organizimin shumëqendror dhe duke ia hequr Tiranës çdo shpresë për t’u kthyer në qendër ose pikë referimi të shqiptarisë globale. Vetë rrjetëzimi (networking) - mundësuar nga Interneti, kontaktet horizontale dhe shpërfillja e hierarkive tradicionale - e zhvlerëson rolin që do të mund të kishte një qendër unike në sistemet konvencionale të komunikimit. Bostoni, Toronto, Roma, NYC, Mynihu, Zyrihu, Parisi, Milano, Athina po shndrisin gjithnjë e më gjallërisht në firmamentin kulturor të shqiptarisë; dhe dallimi kryesor kulturor i tanishëm brenda kombit nuk është më midis shqiptarëve të këtushëm dhe shqiptarëve të atjeshëm, por midis shqiptarëve që komunikojnë, dhe shqiptarëve që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin.
Por gjeografia e shqiptarisë është nyjtuar edhe më tej si pasojë e mbijetesës së nuancave, dallimeve e diferencave midis shqiptarëve prej Shqipërie nga njëra anë, dhe atyre të Kosovës e më tej të Maqedonisë, Malit të Zi, Sanxhakut e viseve të tjera në ish-Jugosllavi, nga ana tjetër. Njëlloj sikurse ligjërata politike në Kosovë është zhvendosur prej retorikës së bashkimit kombëtar drejt projektit tjetër të pavarësisë, në një kohë që shqiptarët në Maqedoni e në Mal të Zi janë përfshirë në një dialog sa dramatik aq edhe të nevojshëm me sllavomaqedonasit, përkatësisht sllavomalazezët, ashtu edhe mërgata sikur po anon të besojë se edhe ruajtja e këtyre dallesave gjeografike e historike është, tek e fundit, një kontribut pasurimi, jo përçarjeje.
Sa për atë pjesë të mërgatës shqiptare që i referohet ende Tiranës; ia lexon shtypin e ia sheh në mbrëmje televizionin në satelit; e ia viziton shpesh herë sheshet, shëtitoret, rrugët dhe rrugicat, kjo po mësohet ta gjejë misionin e vet në një orvatje, sado utopike të duket, për rimëkëmbje etike të vendit. Për fat të keq, korrupsioni dhe kriza morale e gjithanshme janë tiparet më të spikatura të fytyrës që po ia tregon botës sot Shqipëria; dhe mërgata është në një pozicion të tillë që përballë asaj fytyre e ndien veten, njëfarësoj, edhe në pasqyrë. Që këtëj edhe vullneti, herë i sinqertë herë i shtirur, herë heroik herë bombastik, për të kaluar nga zemërata në veprim konkret, ose në një kontribut për një rilindje të re të Shqipërisë, këtë herë në një përmasë kryesisht shpirtërore.
Paralelizmi me Rilindjen kombëtare nuk mund të injorohet, pse edhe para një shekulli ishte mërgata që ia solli Shqipërisë idenë e mëvetësisë, administratën, arsimin, diplomacinë, madje edhe flamurin; vetëm se këtë herë detyra duket më e rëndë, meqë është fjala për t’ia kthyer atij vendi shpresën. Dy momente të këtij gjakimi tërheqin vëmendjen: që vetëm para pesëmbëdhjetë vjetëve në Shqipëri gjithçka mungonte, përveç shpresës; dhe se një pjesë e mirë e shpresëmbartësve të asaj kohe sot mbushin radhët e mërgatës. Imperativi etik, në këtë rast, është vetvetiu i dyfishtë; meqë rimëkëmbja do të jetë një proces që nuk mund të mos e përfshijë edhe mërgatën vetë!
Paralelisht me vetëdijen e atdheut virtual, po përvijohet edhe dallesa ndërshqiptare midis lokalizmit dhe globalizmit; ose Shqipërisë së vogël, dhe botës së madhe. Mërgimtari që deri dje mund të ishte ndier “lokal” për shkak të besnikërisë ndaj traditës së vet kombëtare, sot mund ta shohë veten edhe si përçues të globalizmit sa herë viziton atdheun e dikurshëm; paçka se atje mund t’i duhet të indinjohet, sipas rastit, me shpërfilljen ndaj “kombëtares”… Shqiptari i Tiranës, vizitor i rastit në një familje mërgimtarësh shqiptaro-malazezë në Michigan, mund të mbetet gojëhapur me shqiptarizmin, pothuajse muzeal, që do të gjejë në atë skaj të largët të një kontinenti tjetër. Në këtë kuptim, atdheu virtual na përvijohet të gjithëve tek ai kufi i pashmangshëm midis vlerave shqiptare dhe vlerave globale, që na përplasen orë e çast në eksperiencë: ne të këtushmëve, atyre të atjeshmëve, të gjithëve në atë masë që e quajmë veten ende shqiptarë, pavarësisht se si e në ç’masë.
Ky përbashkim transgjeografik i shqiptarëve falë mjeteve moderne të komunikimit duket sikur shpie drejt një rithemelimi të vetë nocionit të atdhetarizmit. Shkrimtari i madh argjentinas J. L. Borges pat thënë dikur për hebrenjtë se janë i vetmi popull që e kanë atdheun në një libër - Biblën. Nyjtimi i universit shqiptar në këtë epokë të Internetit, televizionit satelitar dhe telefonisë ndërkombëtare me çmim të lirë, po e çon edhe shqiptarinë drejt atyre ujërave: vetëm se në rastin e mërgatës është fjala jo për ndonjë libër ekzistues, por më tepër për një ide sa nostalgjiko-romantike, aq edhe utopike, të Shqipërisë si mishërim i atdheut që të gjithë do të donim të kishim pasur.