Sfidat përballen me njerëz dinjitozë e patriotë

Taulant Papadhima


Botën e medias shumë njerëz do t'a përqasnin me një kompleks informacioni dinamik që sjell të rejat, të dhëna të larmishme, krijon dhe hap probleme dhe në jo pak raste sensibilizon komunitetin, njerëzit dhe, pse jo, qeveritë. Në rastin e Albanian TRIBUNE, ndonëse në hapat e para, pak gjëra janë për t'u thënë; gazeta sapo u themelua, doli numri i parë, tashmë i dyti në qarkullim, e kështu me radhë. Pavarësisht nga vështirësitë e shumta me të cilat po përballemi në lidhje me median, situatat financiare, marrëdhëniet e raportet që krijohen, gazeta erdhi për më tepër si një nevojë e komunitetit tonë. Por nuk duhet harruar edhe misioni i saj, të qënurit tribunal. Cili është çmimi që ne të kemi këtë tribunë dhe a më ndihmon mua si qytetar i thjeshtë prania e kësaj gazete?

Shtyhem të ngre këto pyetje, jo vetëm si botues i kësaj gazete por edhe si anëtar i këtij komuniteti, dhe që e shoh dobishmërinë e saj si pjesë e nevojshme e jona. Përdor fjalën e jona, sepse gazeta doli me një qëllim të kristaltë. Dhe ky qëllim nuk duhet të lidhet në asnjë mënyrë e moment me një "mejdan me plot trima e patriotë", "mejhanë në të dalë të lagjes" apo interesa, lidhje dhe intriga të paskrupullta. Tribuna jonë duhet parë si një mjet bashkëpunimi, afrimi për të gjithë shqiptarët, dhe si një mënyrë qetësimi për plot shpirtra të ndezur e të shqetësuar.

Që të kemi këtë gazetë, miq të dashur, duhet t'a mbështesim. Dhe vërtet, unë përjetova personalisht çaste të lumtura, kur shumë bashkatdhetarë e pritën me gëzim këtë eveniment. Të gjithë uruan, u kënaqën, ndjenë veten e tyre për disa orë më afër atdheut dhe jo për çudi, në njëfarë mënyre shprehën dëshira për të kontribuar, për t'u bërë pjesë e kësaj nisme. Një, dy, tre …..bashkëpunëtorë. Vallë kaq është mundësia jonë për të afruar bashkëpunëtorë, njerëz me pasione, që duan të kontribojnë në përmirësimin e jetës sonë sociale, kulturore e shpirtërore?

Më duhet të rrëmoj nëpër mendime. Jo vetëm unë, por të gjithë bashkëpunëtorët po i përkushtojnë kohë kësaj nisme. Harrojmë lodhjen e punës së rëndomtë dhe ato pak momente të lira i ndajmë së bashku me qëllimin e hedhjes së një tjetër guri në themelet e jetës sonë. Madje me kurajo do t'i quaja këta njerëz si anëtarët e një lëvizjeje së re. Së bashku po i përkushtojmë kohën tonë më të çmuar, përpjekjet dhe aftësitë tona. Në këto kushte mund t'a quaja këtë si një idealizëm që po merr jetë dhe që po preket nga çdo shqiptaro-kanadez apo shqiptaro-amerikan. Është koha që të flasim me fakte. Të gjithë jemi të bindur dhe të qartë se edhe për disa gjenerata ne do të jetojmë me kokën e kthyer nga atdheu ynë, Shqipëria.

Dhe të mos harrojmë se kemi edhe një pjesë të atdheut tonë këtu në Ottawa. Përfaqësuesit e shtetit tonë në shtetin tonë të dytë. Pavarësisht nga vështirësitë aktuale të përfaqësuesve tanë për t'u bërë pjesë e kësaj nisme dhe për t'iu gjendur më afër anëtarëve që ata përfaqësojnë në këtë shtet, kjo nuk i bën ata që aktiviteti i tyre zyrtar të shtrihet më tutje se ai i ngjitjes së pullave-taksë shtetërore dhe urimet e rastit për të paktat festa kombëtare shqiptare që festojmë në Kanada. Jo pak njerëz mendojnë se një gjë e tillë ndodh edhe në shtetin fqinj, Amerikë, ku banojnë më shumë se njëqindfishi i shqiptarëve që banojnë në Kanada. Mos kemi të bëjmë me një krizë diplomatike Kanada-Shqipëri apo një përcaktim jo të qartë dipllomatik të palës sonë? Mos kemi të bëjmë me një dobësi të politikës së jashtme të Shqipërisë apo dobësi dhe mungesa të njerëzve të politikës. Pse duhet që gjithmonë të trumbetojmë sukseset tona në çështjen globale relativisht të vogla në numër? Kur ne, mund dhe duhet të ndërgjegjësohemi për problemet që jo rrallë ndeshim. Edhe në ato pak raste kur me mundim të madh "shquajmë" ndonjë problem, nisim të pamundurën dhe diku andej nga fundi dëgjojmë ankime që lidhen me fatet e këqija. Gënjejmë veten tonë, se e nesërmja do të kapërdijë çdo të djeshme, se ne shqiptarët jemi të zotë për të përballur çdo lloj furtune atllantike apo paqësore. Mos kemi të bëjmë me krizë intelektualësh e mendimtarësh, apo vihet në dyshim qënia e tyre? Nëse jo, kjo shtyn çdo nevojë të shtetasit shqiptar të kërkojë afri, ngrohtësi dhe pse jo një jetë të denjë dhe të barabartë me çdo shtetas kanadez dhe amerikan.

Këto janë probleme që kërkojnë kohë dhe mendjedhënie por nuk duhet të notojmë në të njëjtat ujëra që shumë patriotë e pseudopatriotë tanë kanë bërë. Vërtet koka jonë do të jetë e kthyer në historinë tonë më të lavdishme, në njerëzit tanë më të shquar, dhe shumë mirë bëjmë. Por nga atdheu ynë i largët në shumicën e rasteve na katapultohen meselera zyrtare, “afera të ndershme” politike dhe politika që më shumë ngjasojnë me zhurmën e valëve radiofonike. Është koha që në të vërtetë të kërkojmë njerëz mendjendritur, të rinj, njerëz të qetë dhe të balancës, njerëz që nuk do të e përzienin çështjen shqiptare me asnjë grimë personale. Thirren e mbahen tavolina të rrumbullakëta dhe që në minutën e dytë rrumbullakësia harrohet, përvishen mëngët dhe përbetohemi se po zgjidhim hallet e botës. Jo, kjo nuk duhet pranuar më. Duhen ndryshuar mënyrat dhe politikat që kanë dështuar dhe po dështojnë, duhen harruar për shumë e shumë kohë prapësitë politike e interesat personale. Dikush duhet të ketë kurajon qytetare të bëjë këtë ndryshim. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se midis nesh ka shumë njerëz të këtillë, të mundshëm për të përballur sfidat që sjell koha. Dhe këto sfida, nga ana e tyre, duan të përballen me njerëz që kanë jo vetëm dinjitet, por me patriotë të vërtetë dhe me njerëz që e nesërmja nuk i tremb e i shqetëson.

Ju ftoj, pra, të nderuar bashkatdhetarë, të bëjmë këtë ndryshim. Të paraqesim me dinjitet atributet tona më pozitive. Në të ardhmen, do të jenë fëmijtë tanë ata që do të na gjykojnë për punën tonë të bërë, për kulturën tonë që ne do iu trashëgojmë. Dhe ne kështu do të kemi më pak kohë për të gjykuar të tjerët. Kjo do të jetë filozofia e gazetës sonë: e qartë dhe e thjeshtë, me synimin e vetëm të të qënurit sa më pranë bashkatdhetarëve tanë, këtu dhe në të gjitha trojet.


Albanian TRIBUNE, 8 maj 2004