Mund të përkthehej shqip në “Përvojë kanadeze”, por kjo do t’ia humbiste të gjithë kuptimin. Ndoshta togfjalëshi “Eksperiencë kanadeze” është më pranë origjinalit, sepse tingëllon shqip dhe i le fjalët të pandryshuara. Prandaj edhe është forma më e përhapur në bisedat midis shqiptarëve.
Po ç’është “Eksperienca kanadeze”? Padyshim shprehja që i nervozon më shumë të ardhurit rishtaz në Kanada. Me këtë shprehje është ndeshur kushdo që ka provuar të kërkojë punë këtu. Kuptimi i saj vazhdon të mbetet një mister, përdorimi i saj një absurditet dhe kapërcimi i saj një nga sfidat më të forta për emigrantët.
Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit, duke dhënë mësim në një program Co-op për emigrantët e kualifikuar që kërkojnë punë në profesionet e tyre, më ka rënë rasti të marr mendim nga qindra nxënës në lidhje me mënyrën se si e kanë përjetuar dhe kuptuar ata përballjen me “Eksperiencën kanadeze”. Edhe në biseda me miq e shokë ka rënë shpesh rasti të flitet për këtë temë. Do të përpiqem të sjell këtu disa nga kuptimet e kësaj shprehjeje të ndërlikuar, pa pretenduar se do të arrij t’i jap një shpjegim përfundimtar.
1. Ju nuk njihni normat dhe ligjet e këtushme
Ky ndoshta është një nga kuptimet fillestare, të drejtpërdrejta, logjike dhe më të pranueshme, në raste të veçanta.
Rikardo është inxhinier elektrik nga Peruja. Ka një përvojë mbi 15-vjeçare si i tillë. Megjithatë, në intervistat e para, madje edhe kur kërkonte punë si teknik i thjeshtë elektricist, i jepnin të njëjtën përgjigje: “Nuk ke eksperiencë kanadeze.” Ishte vërtet revoltuese. Një inxhinieri me përvojë i refuzohej puna e thjeshtë e një tekniku për mungesë përvoje! Sidoqoftë, disa muaj më vonë, kur i ishte vënë punës për të dhënë provimet që i duheshin për marrjen e liçencës së inxhinierit ai e pranoi se punëdhënësit kishin pasur të drejtë. Rregullat dhe ligjet që kishin lidhje me profesionin, standardet e punës, ishin krejtësisht të ndryshme.
Kjo është e vërtetë për shumë profesione të tjerë. Një mësues, sado i suksesshëm që të ketë qënë në vendin e tij, pavarësisht nga njohuritë dhe përgatitja profesionale, duhet të mësojë dhe të provojë se di diçka më tepër nga praktikat e këtushme, përpara se t’i hyjë të njëjtit profesion në shkollat kanadeze. Pa prekur fare problemin se cili sistem është më i mirë, mund të thuhet pa hezitim se sistemet arsimore janë krejtësisht të ndryshme.
Në këtë kuptim, “Eksperienca kanadeze” është e nevojshme. Por jo domosdoshmërisht e logjikshme. Sepse duke e kërkuar atë nga të gjithë emigrantët i hyjmë qerfullit të mbyllur të frazës së famshme “Catch 22” - domethënë, ti nuk mund të zesh dot punë pa pasur eksperiencë kanadeze dhe nuk mund të kesh eksperiencë kanadeze pa pasur një punë.
Kuptimi i parë i “eksperiencë kanadeze” është i logjikshëm dhe i pranueshëm. Pa njohur ligjet dhe normat e punës së profesionit që aplikohen në Kanada, është e vështirë të punosh këtu. Kapërcimi i saj është i vështirë, megjithëse normat dhe ligjet mund të njihen duke i studiuar ato.
2. Ju nuk keni standardet tona të punës
Kanadaja është një ndër vendet më të zhvilluara të botës. Duke qënë kaq pranë Shteteve të Bashkuara dhe kaq organikisht e lidhur nga ana ekonomike me të, ajo ka pothuajse të njëjtat standarde pune që ka edhe SHBA - në të gjitha profesionet. Kjo i bën kanadezët të mendojnë se janë vendi më i zhvilluar në botë. Duke gëzuar përgjithësisht edhe një mosnjohje gjeografike, të ngjashme me atë të amerikanëve, ata janë tepër krenarë për standardet e veta.
Yevgeni ishte një nxënësi im nga Rusia. Anglishten e fliste me pak vështirësi. Megjithatë, rreth të tridhjetave, ai kishte marrë një Master në Shkencat elektronike dhe kish punuar në sistemet a automatizuara të një stacioni rus që prodhonte dhe testonte pjesë...raketash për në hapësirë. Në dy intervistat e para në kompani ku kërkohej një specialist për sistemet e automatizuara të makinave, e kishin kthyer mbrapsht pasi i kishin bërë të qartë se i mungonte ... “eksperienca kanadeze”.
Natyrisht që i mungonte eksperienca kanadeze. Ai përgatiste sisteme raketash. Kanadaja nuk dërgon raketa në hapësirë. Rusia dërgon. Por ata që e kishin marrë në intervistë Yevgenin ishin të bindur se, përvoja nga një vend më pak i zhvilluar se Kanadaja (!) nuk do t’i mjaftonte Yevgenit të kryente proceset e sofistikuara që ata kërkonin.
Kuptimi i dytë i “eksperiencë kanadeze” është: Ne jemi injorantë e fodullë dhe as që e kemi idenë ç’mund të jesh në gjendje të bësh ti. Më mirë të kërkojmë të gjejmë dikë që e ka bërë këtë punë përpara, sesa të rrezikojmë.
3. Zbrit poshtë dhe nise nga shkalla e parë
Ladi vjen nga një rreth i jugut të Shqipërisë. Ka qënë dikur punëtor i kualifikuar, por pas aktivizimit në parti, arriti të bëhej drejtor në një ndërmarrje shtetërore. Aty punoi deri sa iu mbush mendja të emigronte në Kanada. Me të ardhur këtu, zuri një shtëpi, përgatiti dokumentat dhe, si gjithë të tjerët, filloi të kërkojë punë. Natyrisht, Ladi është njeri me ego dhe nuk mund t’i pranojë vetes idenë e hapave prapa. Kthimi pranë tornos apo makinerive të fabrikës i duket si një ëndërr e keqe. Mirëpo e vetmja punë veç asaj të punëtorit që di të bëjë është ajo e drejtorit. Pa asnjë rrugëdalje tjetër Ladi ia nis kërkimit të një vendi pune si drejtor. Fillon të blejë “Globe and Mail” dhe “National Post”, dy gazeta që reklamojnë më shumë vende për pozita drejtuese.
Nuk ka nevojë të shtoj këtu se pas disa vjetësh kërkimi Ladi vazhdon të jetojë me asistencë sociale dhe t’i shtojë nga pak të ardhurat duke shpërndarë pica.
Thelbi i kësaj historie është se Ladit nuk ia marrin parasysh përvojën e karrierës drejtuese në Shqipëri. I kërkojnë “eksperiencë kanadeze”. A kanë të drejtë? Gjykojeni vetë. Jo vetëm në rastin e Ladit, por edhe në rastin e drejtuesve tepër të kualifikuar, është vështirë të përfytyrohet që kompani kanadeze të presin me gojëhapur që t’iu vijnë drejtues emigrantë. Logjika ta do që dikush që emigron në këtë vend të fillojë t’i ngjisë shkallët një nga një, duke e nisur që nga shkalla e parë e katit të parë. Pavarësisht sa lart mund të jesh ngjitur në vendin tënd, kur vjen si emigrant duhet të jesh i përgatitur për ta nisur nga fillimi. Në këtë rast kuptimi i tretë i “eksperiencës kanadeze”, si kërkesë për t’ia nisur nga fillimi, është më se i logjikshëm.
4. Nuk të marr ty se do të marr djalin e xhaxhait
Gjashtë vjet e ca të shkuara, kur sapo kisha mbërritur në këtë vend dhe lëvizja sa në një kompani në tjetrën për të siguruar jetesën, më ka rënë rasti të punoj në një ndërmarrje të vogël që merrej me dispeçerinë e kamionëve të mëdhenj të transportit. Veç meje, në të njëjtën zyrë punonin edhe nëntë vetë të tjerë - pesë burra dhe katër gra. Unë isha “temp” domethënë i pajtuar nga një agjenci punësimi të përkohshëm. Vendi i punës ishte i rehatshëm dhe mjedisi i këndshëm e tepër miqësor, megjithëse të gjithë shanin si shofera. Në fakt, pjesa më e madhe edhe ishin shofera. Sidoqoftë, mua më pëlqente të punoja aty dhe më lindi ideja të kërkoja të më mbanin. Mirëpo shumë shpejt mora vesh se në vendin tim do të vinte Xheniferi, e cila pritej të mbaronte shkollën. Pak më vonë e kuptova edhe arsyen përse pritej të vinte Xheniferi. Në atë zyrë të gjithë ishin të lidhur me njëri-tjetrin - njëra ishte gruaja e pronarit, dy të tjera vajzat e pronarit, pastaj motra e pronarit tjetër, dhëndri i pronarit... Xheniferi ishte mbesa e pronarit.
Shumë biznese në Kanada janë krijuar në bazë familjare. Është tepër e vështirë ta çash qarkun dhe të konkurosh me njerëz të afërm të familjes së atyre që punësojnë. Kjo është e natyrshme. A është mirë që kanadezët i bazojnë bizneset në lidhjet familjare dhe jo në zotësinë e kandidatëve për t’u punësuar? Ndoshta po. Por ky është tjetër problem, nga ato probleme që nuk i zgjidhim dot ne.
Kuptimi i katërt i “eksperiencës kanadeze”, si parapëlqim për njerëzit e afërm, është i pranueshëm nga ana logjike, megjithëse nuk të bind për efektivitetin e bizneseve vendase. Por kjo s’është puna jonë.
5. Unë nuk të njoh dhe s’kam besim te ti
Kjo ka lidhje të ngushtë me atë që thamë pak më lart, por ka një zbatim më të gjerë. Kur një punëdhënës kërkon të marrë dikë në punë, hedh fillimisht vështrimin në rrethin e të afërmve të tij. Nëse nuk e gjen aty kandidatin, atëherë shikon te ata që ka të punësuar për momentin. Më tutje, iu kërkon atyre që të shikojnë për ndonjë kandidat në familjet dhe të njohurit e tyre. Ky proces quhet “internal posting”, ose reklamim i brendshëm i vendeve të punës.
Vetëm pasi i kanë konsumuar të gjitha burimet e brendshme, punëdhënësit hedhin vështrimin jashtë kompanive, fillojnë të paguajnë për reklama dhe të mbledhin rezumé nga njerëz që nuk i njohin. Sidoqoftë, ata vazhdojnë të ngulmojnë që të priren nga e njohura, duke iu shmangur të panjohurës. E njohura në këtë rast është referenca nga një burim i besueshëm, nga një burim kanadez, të cilin e kanë pranë dhe mund t’i besojnë.
Le të marrim për shembull diplomën. Dikush mund t’i paraqitet punëdhënësit me krenari dhe t’i thotë se ka diplomë nga Fakulteti Inxhinierik i Universitetit të Tiranës. Gjithë kjo fjali për një punëdhënës kanadez nuk ka kurrfarë kuptimi. Për të nuk ka dallim midis një diplome të marrë nga Universiteti i Tiranës dhe një diplome të marrë nga Universiteti i Kasharit. Si dhe nga çdo universitet tjetër i botës. Aq më tepër që tanimë falsifikimi i diplomave është fare i kollajtë dhe punëdhënësit as që marrin mundimin t’i verifikojnë ato.
E vetmja gjë që ato mund të verifikojnë është përvoja e punës, fjala e dikujt që mund të dëshmojë se e njeh profesionalisht kandidatin. Por punëdhënësi në Brampton vështirë të imagjinohet të harxhojë kohën duke telefonuar në Tiranë për të marrë vesh nëse ti ke punuar për aksh ndërmarrje apo jo dhe nëse ke treguar zotësi si inxhinier atje. Aq më tepër ai nuk ka se si ta verifikojë që ai numër telefoni që i jep ti nuk është numri i telefonit të celularit të djalit të xhaxhait të cilit i është kërkuar të japë një referencë në anglisht.
Jo, marrja e referencave mund të funksionojë vetëm në kuadrin e kompanive lokale. Prandaj edhe punëdhënësit kërkojnë që të kesh punuar diku këtu rrotull, që të kenë mundësi të pyesin dikë që ata e besojnë dhe të marrin informacion mbi përvojën tënde të vërtetë të punës - eksperiencën kanadeze.
Kuptimi i pestë i eksperiencës kanadeze si nevojë për të verifikuar kredencialet e kandidatit në burime të besueshme, është tepër i arsyeshëm, pavarësisht se nuk na pëlqen ta pranojmë.
Shprehja “Eksperiencë kanadeze” është shprehje shumëplanëshe dhe shumëkuptimshme. Unë nuk pretendoj aspak t’i kem shterur të gjitha kuptimet e saj. Desha vetëm të përmendja disa prej tyre, sa për të hapur një diskutim për një problem që i shqetëson seriozisht të ardhurit rishtaz. Kuptimi i “eksperiencës kanadeze” duhet analizuar mirë dhe duhet pranuar pa emocione, pasi vetëm në këtë mënyrë bëhet e mundur kapërcimi i kësaj pengese që iu del përpara pothuajse të gjithë emigrantëve. Iu uroj të gjithëve fat dhe mundësinë për ta hedhur sa më shpejt pas, periudhën kur iu refuzohet një vend pune për shkak të mungesës së eksperiencës kanadeze.
Albanian TRIBUNE, 8 maj 2004