Dy vjet më parë një grua shqiptare u hodh në rrotat e trenit. Afro një vit më parë Ervis Qole, një i ri nga Patosi, u detyrua të kryejë vetëvrasje, duke u hedhur nga kati i 17-të. Shkaku? Mosmarrja e dokumentave.
Emigrantët ilegalë paraqiten në gjyq me letra “bakalli”, përballë zyrtarëve kanadezë që të citojnë kanunin e Lekë Dukagjinit
TORONTO - Pakësohen shanset e fitimit të azilit për emigrantët shqiptarë në Kanada. Lajmi bëhet i ditur nga punonjës të brendshëm në Bordin e Emigracionit të Torontos. Ke shitur shtëpinë për 20 mijë dollarë? Parave u ke vënë shkelmin në këmbim të një vize kanadeze fallso? Atëherë dije se ke marrë një vendim krejtësisht të gabuar. Me qindra shqiptarë të ardhur kryesisht nga Shqipëria në mënyrë klandestine, megjithëse kanë ëndërruar për një jetë më të mirë dhe për “fushën me lule”, që do t’i priste në shtetin prej 33 milionë banorësh, janë përballur me një realitet krejtësisht tjetër, ndryshe nga ai i premtuar nga bosët e trafikut. Në Bordin e Emigracionit të Torontos shprehen se mundësitë për marrjen e azilit politik janë pothuajse zero. Ndër arsyet kryesore të humbjes së gjyqeve, nëpunësit e mbrojtjes së refugjatëve dhe zyrtarët e Bordit të Emigracionit radhisin shtimin e informacionit rreth Shqipërisë dhe ndryshimit për mirë të situatës politike atje. Ndër më të privilegjuarit në komunitetin e shqiptarëve kanë qenë gjer vonë shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë siguruar një status politik, të barabartë me atë të vietnamezëve, por edhe kosovarëve u janë pakësuar shanset për azil, pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Sipas burimeve jozyrtare numërohen afro 25 mijë shqiptarë në të gjithë Kanadanë. Në këtë numër përfshihen emigrantët e ligjshëm nga Shqipëria, refugjatët nga Kosova, si dhe një numër i papërcaktuar qartë i emigrantëve ilegalë. Në një prononcim të mëparshëm, zyrtarët e ambasadës së Shqipërisë në Kanada janë shprehur se emigrantët ilegalë nuk janë objekti punës së tyre. Për rrjedhojë mungojnë statistikat zyrtare për numrin e ilegalëve shqiptarë në vend. Shtimi i kontakteve ka pakësuar shanset për azil. Shtimi i kontakteve ndërmjet dy vendeve, Shqipërise dhe Kanadasë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, si dhe shumëllojshmëria e fushave të këmbimit të informacionit ka ulur jashtëzakonisht shanset për marrjen e një përgjigjeje pozitive nga burokratët e emigracionit kanadez.
“Arsye të tilla si “rrezikim jete” apo “burgosje për shkak të ideve”, nuk pinë më ujë dhe nuk tingëllojnë të besueshme për zyrtarët e ftohtë dhe të hekurt të emigracionit. Megjithëkëtë gjer vonë nuk kanë munguar aplikimet për persekutim në vendin e origjinës, për shkaqe politike”, - u shpreh për gazetën “Albanian Tribune”, njëri nga përkthyesit shqiptarë, i cili është punësuar me kontratë në Bordin e Emigracionit në Toronto. Vetëm nga Bordi i Emigracionit të Torontos aktivizohen mesatarisht gjashtë përkthyes shqiptarë në muaj. Secili prej tyre mbulon mesatarisht tre raste në javë. Me një aritmetikë të thjeshtë del se vetëm në Toronto një përkthyesi i bie të dërgojë në seancat e dëgjimit dymbëdhjetë familje shqiptare. Duke llogaritur se vetëm në Bordin e Emigracionit në Toronto janë punësuar gjashtë përkthyes, kërkesat për azil llogariten në mbi 70 të tilla në muaj, shumë kjo jashtëzakonisht e madhe për një vend të vogël si Shqipëria. Në këtë numër mund të përfshihen dy herë të njëjtët persona, të cilët pasi humbasin gjyqet i drejtohen apelit për rishikimin e vendimit. Pasi kanë shpenzuar mjaft kohë dhe para, duke qëndruar në strehat vorfnore të tipit “shelter”, të ndarë nga familjet dhe të dashurit e tyre për më shumë se tre apo katër vjet, mjaft prej azilantëve kanë marrë rrugën e kthimit. Nuk ndërtohet një “good story.”
“Jo”ose “Po”! Përgjigjja e shkurtër është plotësisht në duart e aplikantit shqiptar, i cili nuk di të ndërtojë një ngjarje të besueshme, me fakte konkrete. Në të shumtën e rasteve arsyet e dhëna nga aplikantët kanë qenë ato për persekutim nga Partia Socialiste në pushtet. Marrja e një tesere nga partitë opozitare, si PD-ja apo parti të tjera, nuk kanë qenë fakte të mjaftueshme për azilantët politikë, ndërkohë që përgatitja e zyrtarëve të emigracionit kanadez për të trajtuar raste të tilla ka qenë e habitshme dhe për t’u admiruar. E kujt do t’ia priste mendja se në Kanada kanë të përkthyer në anglisht edhe kanunin e Lekë Dukagjinit, me të gjitha ato kode zakonore jo vetëm për gjakmarrjen?! Në bazë të Konventës së Gjenevës për Refugjatët, një histori bëhet e besueshme, vetëm pasi të kesh shprehur qartë se çfarë të pret po të kthehesh në atdhe. Në seancat dëgjimore, ose siç quhen ne anglisht “Hearing” ka patur raste që refugjatët shqiptarë të kenë paraqitur si arsye për azil gjakmarrjen, rrezikimin e jetës, për arsye hasmërie. Në ndonjë rast aplikanti ka patur edhe plumba në trup, por as plumbat në trup nuk kanë mjaftuar si provë për marrjen e dokumentave aq shumë të dëshiruara. Dokumentacioni, një arsye tjetër për të humbur. Aplikantët shqiptarë nuk kanë eksperiencë dhe etikë në përgatitjen e letrave, që do t’u siguronin një kthesë të madhe dhe të rëndësishme në jetën e tyre. Emigrantët shqiptarë u vënë fare pak rëndësi punës së përgatitjes së dokumentacionit, duke shkuar para nëpunësit kanadez me letra “bakalli”, që nuk të lënë një përshtypje të mirë që në shikimin e parë. Në të shumtën e rasteve mungojnë fotot apo videokasetat si provë për marrjen e azilit. Burimi i besueshëm i gazetës brenda në Bordin e Emigracionit të Torontos u shpreh se aplikantët shqiptarë vijnë në zyrat e Emigracionit krejtësisht të papërgatitur. Paraqitja e provave shkresore vlen për të dëshiruar, ndërsa historia e servirur nga aplikanti shqiptar tingëllon e pabesueshme.
“Dokumentave të siguruara nga Shqipëria në mënyrë zyrtare u mungon në shumicën e rasteve një adresë e thjeshtë, një numër telefoni, apo një firmë. Në mjaft çështje provat shkresore nuk kanë një kokë apo “letterhead”, siç përmendet ky term në anglisht,” - shprehen në Bordin e Emigracionit. Zyrtarët kanadezë dinë kodin e Lekë Dukagjinit. Përballë letrave të “bakallit” zyrtarët kanadezë të emigracionit të vendosin në tavolinë Kodin e Lekë Dukagjinit. Vëreni si më poshtë se çfarë thuhet në anglisht dhe në shqip në disa nene të këtij kodi të vjetër prej më tepër se 500 vjetësh:
“1113 - The Men gathered in an assembly sit in a semicircle so that each person may see everyone else and if someone is called on to speak; his path is clear among the Chiefs and the Elders”. Burrat e bashkuem në kuvend rrijn në gjymës rrethit; ashtu qi të mund të shofin shoqi shoqin e, po u thirr kush, të ket shteg për me u dukë ndër Krenë e Pleq. “1115 - Regardless of how long the Men of the land are at the assembly, a stranger has no right to associate with them”. Sa të jenë në kuvend burrat e dheut, s'ka tagër kush i huej me u perzie ndër ta. “1117 - The Chiefs and the Elders sit at the Assembly according to rank and seniority”. Krenët e Pleqt rrijn në kuvend mbas priject e tagrit. “1118 - At an Assembly, when one person speaks, the others must listen and remain silent”. Në kuvend, sa të flasë njani, tjerët do të ndigjojn e të heshtin. “1122 - Offensive language is not permitted at an Assembly. Fjala e randë nuk bahet në kuvend. “1123 - The Kanun forbids insults to anyone at the Assembly; if someone insults another person, a fine up to 5 sheep is imposed on him”. Kanunja s'ban qi të shahet kush në kuvend; po bani kush kët pune, do të gjobitet me 5 desh. “1124 - If someone calls another person a liar at an Assembly, a fine of up to 500 grosh is imposed on him”. Po i tha kush kuej se rrene ne kuvend, do të gjobitet mje në 500 grosh”.
Gjykatësi italian Rosi trajtonte rastet e shqiptarëve. Në komunitetin shqiptar të Torontos të flasin për rastin e gjykatësit me origjinë italiane Rosi, i cili në të shumtën e rasteve jepte një përgjigje negative për aplikantët shqiptarë. Duke qenë edhe anëtar i Partisë Komuniste Kanadeze, si dhe me origjinë italiane, disa nga azilantët u ankuan se zoti Rosi ishte i njëanshëm në marrjen e vendimeve zyrtare. Për këtë çështje u interesuam në Bordin e Emigracionit në Toronto, ku na u shprehën se zoti Rosi nuk është ngarkuar më për të mbuluar rastet për aplikim të shqiptarëve. Nga ana tjetër nuk u mbështet fakti se ai është pezulluar nga puna. “Anëtarët e Bordit janë të punësuar sipas një kontrate nga Qeveria Federale dhe unë nuk besoj se ka patur ndonjë pushim nga puna të zotit Rosi. Thjesht nuk është ripërtëritur kontrata,”- tha burimi ynë.
VIKTIMAT E GJYGJEVE TE HUMBURA DHE FOLKLORI
Gjyqet e humbura kanë patur viktimat e tyre. Dy vjet më parë një grua shqiptare u hodh në rrotat e trenit. Afro një vit më parë, për shkak të humbjes së gjyqit Ervis Qole, një i ri nga Patosi, u hodh nga kati i 17-të i një ndërtese në Toronto. Për këtë rast nuk ka munguar përjetimi tragjik në radhët e emigrantëve. Ja pak rreshta, sesi e kanë përjetësuar emigrantët hidhërimin për humbjen e jetës se emigrantit: “Më fal, mama! Që të erdha në arkivol! E ndjej veten fajtor e zemrën e kam të mbushur nga hidhërimi! Nuk duhej ta kisha bërë atë fluturim ekstrem...Përse ta dërrmova zemrën? Sytë pse t’i përskuqa nga ngashërimi i tmerrshëm? E çfarë katili paskam qenë, që të shndërrova kështu, në një grusht mishi dhe kockash?! Nuk më shikon? Jam unë, Ervisi yt, 26-vjeçar, i papunë dhe pa letra! Shpirt i bardhë që nuk gjeti qetësi! Kam hapur krahët e fluturoj si një zog në këtë hapësirë të gënjeshtërt! Papritur bëra zbulimin e madh. Gjithçka qenka e gënjeshtërt! Nuk ia vlen të jetohet! Rroftë vetëvrasja! Ky akt trimëror dhe me plot kuptim. Nuk duhej të isha treguar kaq shumë i dhënë pas emocioneve të mia! Nuk duhej të të kisha lënë kështu në mes të rrugës. Megjithëse më sheh të gozhduar në arkivol, (nuk të lanë t’a hapje arkivolin), jam ulur para teje në gjunjë e të kërkoj FALJE! Më fal, mama! Për pjesën time të gabimit! Dhe jo për gabimin e të tjerëve! Jo për gabimin e burokratit të zyrës se emigracionit që nuk më jepte letrat! Jo për gabimin e maskarait që më rrëmbeu mijëra dollarë për të ardhur këtu në mënyrë ilegale! Jo për gabimin e kanadezit, që nuk më merrte në punë, pa eksperiencën e nevojshme! Më fal, mama, për pjesën time të vockël! Unë duhej të kisha menduar për ty. Kjo muzikë më rrënqeth ende lëkurën! Megjithëse nuk ekzistoj! Pi një shishe birrë të zbrazur edhe një herë nga e para. Ende ëndërroj për një vajzë që nuk më deshi, por unë ende e dua, edhe përtej vdekjes sime. Më fal, mama! Jam biri yt plangprishës, që iku pa lejen tënde në botën tjetër! Jam fajtor. Jam kriminel. Kam kryer një krim makabër. Vrava zemrën tënde të pafajshme, o zemra ime, që nuk do të kesh qetësi e lotët do t’i shterësh veçse në varrin tim. U mallkofsha e u harrofsha! Më mbuloftë balta sa më shpejt e më trettë dheu, por s’duhej ta kisha bërë këtë: të bëja ty të vuaje! Duhej të isha përleshur me këtë jetë mizerje dhëmbë për dhëmbë! Duhej të isha shndërruar në Sizif që duron çfarëdo lloj torture e jo të hidhesha nga ballkoni, si një letër pa vlerë. Mama! A do të më falësh?”
Albanian TRIBUNE, 8 maj 2004