Me një pjesëmarrje të kufizuar u organizua mbledhja vjetore e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze. Pavarësisht nga përpjekjet që bëri shoqata për t’a njoftuar këtë mbledhje me të gjitha mjetet e mundshme të medias, ishin të pranishëm në këtë eveniment rreth tridhjetë aktivistë dhe mbështetës të komunitetit shqiptaro-kanadez, si dhe Radio Iliria e Albanian Tribune. Në njoftimin zyrtar për shtyp, Shoqata theksoi përpjekjet qe do të bëhen në të ardhmen për ngritjen e sa më shumë shkollave në gjuhën shqipe, krijimin e ambienteve kulturore dhe sportive, këto me përkrahje nga shteti kanadez, formimin i një grupi artistik për mbajtjen gjallë të traditave tona kulturore, etj.
Mbledhja u shoqërua me një seri diskutimesh e debatesh në lidhje me krizën që po kalon kjo shoqatë, simotrat e saj “Kosova”, “Ilirida”, si dhe degët e Shoqatës në qytetet Kitchener, London dhe Ottawa.
U theksua se, pavarësisht nga përpjekjet e bëra nuk është gjetur një gjuhë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Pyetjeve të ngritura nga aktivistë dhe anëtarë të shoqatës se a ka ndonjë lidhje apo bashkërendim me ambasadën tonë, kryesia u përgjigj se “ne nuk kemi, por jemi munduar me ato pak komunikime zyrtare dhe duhet përmendur kërkesa që i është paraqitur Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, për hapjen e degës konsullore në Toronto, shtyrë nga numri i madh prej 25000 shqiptarësh në Toronto, i cili vazhdon të rritet dita-ditës”.
Pyetjes së Gazetës, se “a ka patur ndonjë projekt konkret të ndërmarrë dhe të kryer nga kjo shoqatë”, anëtarët e kryesisë iu përgjigjën se “jemi të pamundur të ndërmarrim dhe të bëjmë aktivitete në shkallë të gjërë komuniteti”. Debat e shkëmbime të ashpra solli edhe problemi i pjesëmarrjes së takimit të anëtarëve të komunitetit shqiptar me senatorin amerikan me origjinë shqiptare, z. Dioguardi.
Këto diskutime bënë që anëtarë, mbështetës të komunitetit dhe të medias të ndihen të pakënaqur dhe të largohen nga salla. Problemet kryesore që u ngritën në këto debate, dhe që kanë rëndësi për të ardhmen e kësaj shoqate janë: ekzistenca juridike e shoqatës, raportet e saj zyrtare me institucionet më të vjetra shqiptare në Kanada, ruajtja e statutit në procedurat e zgjedhjes së kryesisë, dobësitë në organizim, mosangazhimi i rinisë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe kontradiktat e vazhdueshme që mbart kjo shoqatë. Për këto probleme të ngritura në mbledhjen raportuese të kësaj shoqate, kryetari i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, zoti Muharrem Xhaferri, u shpreh qartë se: “Ne kemi bërë përpjekjet tona, ndonëse pa rezultate konkrete. Na mungon së pari mbështetja e anëtarëve të komunitetit si dhe ndihma që duhet siguruar nga qeveria kanadeze. Shpresojmë se me ligjësimin e projekteve tona, marrjen në vijim të numrit të bamirësisë në të ardhmen do të jemi në rrugë të mbarë.” Në përfundim, zoti Xhaferri, pasi vlerësoi punën e bërë nga anëtarët e pranishëm, i bëri thirrje anëtarëve të komunitetit që të anëtarësohen në këtë shoqatë, duke e parë këtë si mundësi për ngritjen e zërit për nevojat dhe të drejtat tona deri në nivelet më të larta të qeverisë kanadeze.
Albanian TRIBUNE, 8 maj 2004