Ka qënë një natë shumë e dëshiruar për shqiptarët ortodoksë ajo e 10-11 prillit: Ngjallja e Krishtit. Në një atmosferë të mrekullueshme, në Kishën e Shën Astit në Broadview, u mblodhën rreth 400 besimtarë, kryesisht të rinj. Në fillim, kisha ishte e errët dhe drita binte vetëm në altar ku para tij shtrihej një podium me priftin para, At Foti Cicin, që këndonte. Njerëzit futeshin e prisnin në radhë për të ndezur qirinjtë. Një notë heshjeje e dëgjimi.
Pastaj At Foti u kthye nga populli dhe mbajti fjalën e pashkëve. Të gjithë morën mesazhin. Kisha është vendi ku të gjithë njerëzit ndihen të barabartë. Atje gjen kënaqësi shpirtërore. Në fjalën e tij, i nderuari At Foti Cici, iu uroi përzemërsisht mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve. Ai i ftoi besimtarët të përjetonin një nga netët më të festuara në historinë e njerëzimit, çastin më të madh të vitit ortodoks. "Në këtë natë ne jemi mbledhur për të të përjetuar pasionin, ngritjen dhe ngadhnjimin mbi vdekjen". Ai shtoi se: "Kisha ndalet tek ngjallja, pasioni për jetë, dhe jo tek pësimi, viktimizimi. Ky është një sugjerim edhe për ne. Të gjejmë në jetën tonë një dimension të tillë dhe të mos mbetemi e të vajtojmë dobësitë e pësimet tona, nga njëra anë, dhe padrejtësitë që na janë bërë, nga ana tjetër. Në historinë e letrave të kishës së krishterë ekziston një debat interesant mbi natyrën e pasioneve, dhe nuk është përcaktuar nga teologët nëse pasionet e këqija janë të këqija, apo janë të mira a asnjanjëse, dhe se varet nga ne se çfarë trajte do të marrin. Gjithësesi, pasionet tona jo të mira, dhe sidomos pasionet e këqija të të tjerëve, ne i njohim mirë. Por shumë prej nesh nuk kemi zbuluar akoma pasionet tona të mira. Pasioni për jetë, dashuri, për familje, për punë, për shoqëri, për atdhe, pasioni për të bërë diçka të mirë tek vetja dhe tek tjetri. Çdonjëri nga ne ka një pasion të mirë."
E duke folur për pasionin me gjuhën e kishës, At Foti foli për jetën në komunitet: "Pasioni, të dashur, është ai që ka zëvendësuar idealizmin. Unë ju ftoj të gjithëve në këtë perspektivë. Të përftojmë pasion për të përmirësuar jetën në komunitet, për t'u trashëguar fëmijve tanë sa mundemi, nga pjesa jonë e shëndoshë: gjuhën, kulturën, identitetin tonë".
Në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve të shumtë dhe kameras së programit Pasqyra Shqiptare, At Foti u ndal tek botimi i numrit të parë të gazetës Albanian Tribune, të cilën ai e sheh si një domosdoshmëri për komunitetin, urë paqeje e forcim, një tipar plotësues i komunitetit shqiptar.
Në vazhdim ai shtoi: "Duke konkluduar midis idealizmit dhe pasionit, dua të them se kjo kishë që kemi themeluar e po organizojmë këtu në Toronto, nuk është fryt idealizmi e fetarie, siç mund të mendojë dikush. Siç e thamë, idealizmi ka marrë fund, ndërsa po të ishte për fe, mund të shkonim edhe gjetkë ku ka më shumë përvojë fetare. Kisha shqiptare ortodokse në Kanada është bërë dhe mbahet me pasion. Sivjet jemi më mirë nga vjet, dhe lutemi e shpresojmë që vitin që vjen të jemi edhe më të fuqishëm. Por nuk ju premtojmë shumë, se nuk jemi idealistë. Është pasion dhe vetëmohim i pak njerëzve, gjë që kërkon të shtrihet e të thellohet në komunitet, dhe në rastin tonë përgjegjësia bie tek të paktët, tek besimtarët. Urojmë që të jemi këtu për shumë vjet, të gjithë bashkë, si sonte, me këto ndjenja e këtë dashuri për njëri-tjetrin, në shërbim të çështjes shqiptare në Kanada." Në përfundim prifti ortodoks theksoi ndihmën e madhe që kanë dhënë radioja dhe televizioni ynë në pasqyrimin e aktiviteteve të kësaj kishe, i parë ky si një raport cilësor i kishës me median.
At Foti doli tek dera e Altarit me një qiri të madh: "Ejani merrni dritë...", duke iu dhënë flakën e ngjalljes besimtarëve, e në vijim, duke shkëmbyer me besimtarët përshëndetjen e pashkës: "Krishti u ngjall-Vërtet u ngjall!"
Albanian TRIBUNE, 8 maj 2004