Qytetari i mirë Mikel dhe eksperienca kanadeze

Faruk Myrtaj


E tëra sa më poshtë është thjesht një “rrëfim”, një “përvojë vetjake” në Kanada e një të njohuri tim. Për t’a “zhveshur” e “shpëtuar” prej hollësive individuale, vendosa t’a hiqja emrin e tij, dhe të përdor emrin tonë të përbashkët,“Emigranti”. Ngaqë, në fund të fundit, të gjithë jemi, sadopak, si ai!

1.

Ato ditë Njerëzimi ndjehej i lumtur. Më në fund kishte “prekur” planetin Mars. Në të kundërt, heroi ynë, “Emigranti”, ndjehej i trishtuar. Planeti Mars po i dukej edhe më i largët, teksa s’po arrinte të gjente ndonjë punë, një farëdolloj pune, djalli t’a marrë, sa për të paguar billa-t: qiranë, televizorin, kompiuterin, telefonin, por edhe ndonjë gjë e donte stomaku. Se s’mund t’i thoshte stomakut “rri urtë ti, pak se të sollëm në Kanada, dashke edhe të përtypesh!”

Ndokush nga “vendasit” kanadezë (emigrant më i hershëm) e paragjykoi Emigrantin (pra e gjykoi pa e njohur), duke bërë të habiturin: “Edhe emigrant, edhe TV, edhe kompiuter, edhe telefon, edhe gazetë, edhe ndonjë libër për të lexuar?! Si shumë…!”

Mbase ngaqë ka pasur fatin të vijë në Kanada shumë kohë përpara, “Emigranti” i përfytyrohej “vendasit” si ndonjë qenie prej ndonjë bote tjetër, të humbur, që duhej të gëzohej edhe për hiç-mos-gjë…

Duke e ndjekur këtë histori, nuk do të bënim mirë, as ne, t’a paragjykojmë qytetarin e hershëm të këtushëm, pse ka paragjykuar Emigrantin tonë. Aq më tepër, s’kemi të drejtë t’a bëjmë me faj. Ky “vendasi” ende s’na njeh, ashtu si edhe ne ende nuk e njohim mirë. Mbase ai s’ka dëgjuar, kurrgjë, për Shqipërinë, vendin nga vijmë ne. Mbase s’e di as ku bie Albania! Di që ka një Botë të Parë, një të Dytë, di që është edhe një Botë e Tretë, (ku hyjnë ata që quhen “të tjerë”, sigurisht edhe këta albanezët!) dhe kaq.

Na duhet t’ia themi avash-avash, shtruar, përmidis mirësjelljes që ai, qartazi, e ka. Duhet t’ia rrëfejmë hartën: ja ku është Shqipëria, kjo bërthama këtu, në mes të Evropës dhe në mes të Botës! Nuk themi se jemi komb i porositur, i veçantë, por edhe fare radhiko nuk jemi ne! Deri në prag të Luftës së Dytë jepnim e merrnim me Evropën e Amerikën dhe Botën, së paku si gjithë të tjerët. Na ndodhi që në Luftën e Dytë Botërore hymë me Mbret dhe dolëm me Sekretar të Parë dhe fatkeqësia u ulë këmbëkryq në trojet tona. E harruam Botën, por edhe ajo na harroi neve!

Regjimi komunist e izoloi vendin prej Botës: në fillim prej Perëndimit kapitalist, pastaj edhe prej Lindjes revizioniste! Ishim vendi më i vogël, u bëmë edhe më të izoluarit, edhe më të varfërit. Partia e Punës i ndaloi të gjitha punët (private, si këto të këtushmet), ndaloi pronën, ndaloi fjalën, por nuk mund të arrinte dot të na linte edhe pa libra!

Por edhe ashtu, të izoluar, ne e dinim ç’ishte bota, ç’ishte progresi, edhe pse na ishte privuar Perëndimi, të cilin e kemi ëndërruar papushim. Vazhdojmë t’a ëndërrojmë. Mbase ky “ndokushi” e ka dëgjuar: edhe së fundi më shumë se njëzetë shqiptarë, si ne, u mbytën duke u përpjekur të lënë Atdheun për një jetë më të mirë në Perëndim.

Është vend i bukur Atdheu ynë, por ka mbetur në duar të të ligjve. Mos u habitni ndonjë ditë, sikur të njoftohet se prej Shqipërisë sonë të kenë ikur të gjithë, përveç klaneve politike! Madje, mund t’ia mbathin edhe tërë politikanët dhe në Atdhe të mbetet vetëm një njeri, kryeministri i fundit!

Si njerëz të ikur nga Atdheu, e dimë se s’është e lehtë të ngresh jetë nga e para, në vend të panjohur, me shpejtësi tjetër të jetuari. Por nuk vijmë prej së mirës, as për jetë lehtë. Vijmë për jetë më të mirë, më të qetë, por jo vanitozësh. Vijmë në Kanada, një vend që ka shtet të vërtetë, ku respektohet fëmija, arsimi, shëndeti, njeriu. Nëse të duhet të emigrosh, s’mund të mos zgjedhësh Kanadanë. Këtë e thonë të gjithë. Ndaj dhe shqiptarët pranojnë të ulin kokën, në çfardolloj pune, së paku sa të gjejnë veten e ëndërruar. Por kjo ulje koke s’do të thotë se e kanë lënë krenarinë njerëzore atje ku kanë qenë!

Bashkatdhetarët e ardhur më parë, që sigurisht janë ende “të rinj” në këtë vend ndryshe, e këshilluan kështu Emigrantin: “Mos e shko ndërmend profesionin e dikurshëm, as kualifikimin, harroje të shkuarën. Në rezume dhe intervistë, thuaj atë që duan intervistuesit!Kjo është Eksperienca Kanadeze! E vetmja mënyrë që gjen punë këtu! Përderisa këtë kërkojnë, këtë duhet t’u thuash. Mos ki drojtje se po gënjeni: bill-at duhen paguar! Ke punuar inxhinier, apo mjek apo pedagog në Shqipëri?! Këtu duhet të thuash se ke shërbyer roje nate në ndërmarrjen ku ke qenë inxhinier, pastrues nate në spitalin ku ke shërbyer si mjek a në universitetin si professor!”

Këto e trishtuan Emograntin. Nuk gëzoi dot që Njerëzimi kishte mbërritur në planetin Mars, kur ai nuk gjente dot një punë çfardo këtu poshtë, në Tokë.

2.

Ca ditë më pas, media botërore përcillte lajmin e bujshëm të zënies rob, në mënyrë fare të çuditshme, të diktatorit Sadam Husein. Nga sekuencat televizive dukej sikur kapja e tij të ishte gjë shumë më e thjeshtë se Emigranti ynë të gjente një çfarëdolloj pune në Toronto.

Ja vazhdimi i rrëfimit të tij:

Pikërisht ato ditë zbulova mënyrën më të mirë për të gjetur punë. Shkova në Zyrat e Punës, gati duke kënduar, pa zë, në anglisht: “Find yourself! Respect yourself!”!

I dëshpëruar siç isha, m’u kujtua një person që kishte punuar me mua, në të njëjtin institucion qendror në Tiranë. Unë shef departamenti, ai roje, security guard, siç i thonë këtu, tek porta e hyrjes. Mikel e quanin. Ndihmën e Mikelit do të kërkoja. Bota shkoi në Mars, Bota dinte shumë gjëra, por sigurisht s’e dinte emrin e Mikelit! Bota nuk ia dinte vlerën Mikelit tim!

Secili që donte të ngjitej në departament, duhej të merrte një leje, me shkrim, nga Mikeli. Kjo ishte puna e tij. T’i lejonte ose t’i ndalonte njerëzit të hynin. Mikeli ishte njeri i drejtë, shumë i ndershëm, por kishte pasur një jetë me fat të vështirë dhe kjo e kishte bërë paksa të ashpër. Ndonjëherë ngrinte zërin dhe…”he was not friendly”! Por e dinim se ai kishte shumë fëmijë, dhe se ata i kërkonin bukë, rroba dhe shkollë.

Më shkoi ndërmend se, sikur Mikeli të vinte në Kanada, gjërat do të ishin shumë më të lehta për të: për shkak të përvojës së tij, që ishte mot-a-mo me Canadian Experience! Por s’ishte faji im që Mikeli vetë s’vinte dot në Kanada. Për të aplikuar i duhej të kishte arsimin e lartë, që, për rrethanat e jetës, Mikeli nuk e kishte dot. Ne që kishim shkollat e larta, dhe që mundëm të vinim në Kanada, na mungonte ajo që kishte Mikeli!

Përgatita një rezume allasoj: sikur atë e shkruante dhe do ta nënshkruante vetë Mikeli! Përshkrova tërë punën e tij, deri në hollësi, të gjitha, edhe pse nënshkruesi do të isha unë.

Në të vërtetë, nuk po gënjeja në asgjë. Nga kjo “dredhi” po t’a quajmë kështu, nuk humbiste as Mikeli, as unë, as Kanadaja! Përkundrazi!”

Mbase ishte diçka fare e rastësishme, por po e them me sinqeritet: pas përdorjes së curriculumit të qytetarit të urtë Mikel, unë gjeta punë. Atë punë që Mikeli do t’a fitonte menjëherë po të ishte këtu. Si mund të mos i jem mirënjohës këtij njeriu, edhe pse ai nuk e di të mirën që më ka bërë!

Thanks for your help, Mikel!

Kjo ishte historia e Emigrantit, e ofruar për Tribunën Shqiptare!


Albanian TRIBUNE, 8 maj 2004