Të rinjve shqiptaro-kanadezë

Nga At Foti CICI


Erion Veliaj, 24-vjeçari i lëvizjes “Mjaft!”, ka vlerësuar se “secili prej nesh di të rendisë mirë shfajësimet e vuajtjeve tona, duke përfshirë sundimin otoman 500-vjeçar e kështu me radhë, por e vetmja gjë me të cilin mund të binim dakord si shqetësim primar është mentaliteti i shoqërisë shqiptare. Problemi i vërtetë është apatia.” (Shekulli, 20 maj 2004)

Në qoftë se shoqëria shqiptare në atdhe është konsideruar si apatike, me gjithë atë larmi që ka Shqipëria, parë së këtejmi, çfarë do të thoshnim për komunitetin shqiptaro-kanadez? Asnjë fjalë tharmëze, asnjë vepër risimi, asnjë shembull vetëmohimi ka fuqi të bëjë shqiptarët e Kanadasë më pak apatikë, për sa i përket përfshirjes në jetën shqiptare këtu.

Ashtu si Erioni risues, mund të pohojmë edhe ne të njëjtën gjë: Problemi i vërtetë për shqiptarët e Kanadasë, e ndoshta edhe gjetkë në diasporë, është apatia! “Apati-apátheia” do të thotë pandjesi, çnervozim, mërgim ndjenjash, një marrëveshje e sigurt me vetveten. Njeri apatik është ajo gjallesë që ka humbur aftësinë/interesimin jo për reagim, për jetë, për veprimtari, sesa për shqiptarí e për komunitet. Shqiptar i pandjeshëm është edhe ai që ka humbur fillin kujtesor me të kaluarën shqiptare. Njësoj apatik është edhe ai bashkatdhetar që nuk ka dëshirë për të shquar në mënyrë vizionare të ardhmen tonë në Kanada.

Po të vëzhgojë dikush lidhjet tona me njëri-tjetrin, sidomos të atyre që nuk kanë familje këtu, mund të përshkruhen shumë herë si marrëdhënie “zboristash”, një lidhje kalimtare: hamë e pimë bashkë, ia kalojmë mirë, na ra të jemi bashkë, t’a shtyjmë sa t’a shtyjmë... Kur tenton të bindësh këtë shqiptar të Kanadasë për t’u aktivizuar në komunitet, bindesh vetë se ai është kthyer në një “kështjellë”, në një simbol qëndrese në diasporë, i patundur për të mos bërë asgjë për çështjen shqiptare. Apatia shqiptare nuk i kundërvihet shpresës, por as e përfill atë...

Pavarësisht nga situata jonë në përgjithësi, brezi i ri i shqiptarëve të Kanadasë nuk është aspak apatik. Thjesht, ai nuk ka vendosur të jetë i pranishëm në jetën shqiptare këtu. A kanë qenë mikpritëse modelet e derisotme për botën e të rinjve shqiptarë në Toronto, për shembull? Si rrjedhojë, për shqiptarët e rinj të Kanadasë, “Mjaft!” nuk do të thotë rrëzim pushtetesh, manifestime me pankarta, nënshkrime pamfletesh, sesa përmbysje mendësish, sipërmarrje, aktivizim në komunitet, sfidim ndaj gjithçkaje protokollare. Sepse deri tani, protokolli ka qenë ai që ka mprehur shqiptarizmën.

A ka Erionë Kanadaja? Nisma-eksperiment e botuesit të kësaj gazete, zotit Taulant Papadhima, për të na dhënë një gazetë të tillë tribunale, është pikërisht një “Mjaft!” ndaj gjendjes së komunitetit shqiptaro-kanadez. Unë ndihem krenar për cilësinë e gazetës së komunitetit tonë, tek ua postoj atë miqve të mi në Kanada a gjetkë, gjë që e sugjeroj t’a bëjnë edhe të tjerë. Kam shpresën se profesionaliteti, mosha dhe çiltërsia e Taulantit, do të bëjë shumë të rinj t’i afrohen atij, e të krijojnë një grup miqsh, të takohen, të njihen, të ndajnë çaste, të lidhen e të krijojnë një grup bashkëpunëtorësh, të cilët së bashku do t’a fuqizojnë gazetën Albanian TRIBUNE. Do t’a bëjnë të tyren. Dikush duhet t’a ndjejë këtë, e të bëjë fillimin.

Komuniteti shqiptaro-kanadez ka nevojë për vitalitetin e të rinjve, sepse ata janë brezi trashëgimtar. Kemi nevojë për shpengimin, sinqeritetin dhe idetë e tyre origjinale, edhe pse të paformuluara siç i duam ne. E ardhmja jonë në Kanada iu përket të rinjve shqiptarë, të cilët ftojmë t’i japin komunitetit tonë frymën e tyre. Le të aktivizohen pa drojë se çfarë do të thonë “të mëdhenjtë”. Në fund të fundit, duke qenë të pranishëm e bashkë, pjesëmarrës në komunitet, do t’a keni më të lehtë të na thoni: Mjaft!


Albanian TRIBUNE, 5 qershor 2004