SFIDAT E PËRBALLUESHME TË DYGJUHËSISË

Intervistoi, Endrit Trebicka


Intervistë me Ardian Vehbiun

Zoti Vehbiu! Ju keni qenë i pranishëm në të dy numrat e parë të Tribunës, dhe madje me një hije dinjitoze, origjinale, ashtu si në gjithë shkrimet tuaja që lexojmë shpesh në shtypin e Tiranës, gjë që i privilegjon shqiptarët e Kanadasë. Meqë ju jeni edhe gjuhëtar, ne do të ndalemi sot tek gjuha shqipe, dhe më konkretisht në një sferë të sociolinguistikës, tek dygjuhësia. Shumë prej nesh, as që kishim menduar ndonjëherë për gjuhën dhe funksionet e saj, ndërsa tani fillojmë e pyesim veten për fjalët, përkthimin e tyre, drejtshkrimin, etj. Çfarë thotë gjuhësia për këtë situatë të re gjuhësore të mërgimtarëve?

Ju falënderoj për nismën e kësaj interviste dhe për fjalët e mira që thoni për mua e që nuk jam i sigurt nëse i meritoj. Me kënaqësi dua të bisedoj, gjithsesi, për dygjuhësinë ndër mërgimtarët shqiptarë, duke u mbështetur kryesisht në përshtypjet e mia dhe në njohuritë prej gjuhëtari, meqë studime të mirëfillta në këtë fushë unë nuk kam kryer. Dygjuhësia është dukuri e mirënjohur në sociolinguistikë e në psikolinguistikë; por edhe në albanologji gjenden punime shumë kompetente, sidomos në lidhje me situatën gjuhësore të arbëreshëve të Italisë, në marrëdhënie me italishten. Ndërsa shqiptarët prej Shqipërie po e përjetojnë atë këto 15 vjetët e fundit, gjatë të cilave janë përfshirë në një tour de force marrëdhëniesh me gjuhë dhe kultura të tjera të pashoq në historinë e kulturës dhe të gjuhës shqipe, jo aq për nga shtrirja sesa nga intensiteti. Natyrisht, kontakti i përditshëm me gjuhë të tjera dhe nevoja e ngutshme praktike për t’i përdorur këto pasivisht dhe aktivisht, ua përzgjon të gjithëve vetëdijen e gjuhës që flasin. Kjo gjuhë, që deri dje ishte krejt e tejdukshme, tani fillon e qumështohet, ose bëhet opake; folësit e ndiejnë siç e ndien syri një xham të ngjyrosur. Vetëdija e gjuhës ka të mirat e veta, sepse na shtyn të kujdesemi më shumë për ç’themi e për ç’thonë të tjerët; ndihmon, si të thuash, mirëmbajtjen e ligjëratës. Në rastin e mërgimtarëve, shqipja funksionon edhe si shenjë parësore e identitetit kombëtar, së cilës i mvishen veti simbolike e ndonjëherë magjike; sidomos përkundrejt gjuhës së vendit pritës, e cila perceptohet më shumë në cilësinë e veglës, instrumentit praktik, mundimit të domosdoshëm.

Ndeshim plot emigrantë, që mbas një periudhe qëndrimi në Kanada të paraqesin një “ngatërrim” të gjuhës, pra, duke folur shqip ngecen dhe hedhin fjalë e shprehje anglisht, edhe pse kanë njohuri të kufizuara në këtë gjuhë të huaj. Këtë e bëjnë edhe kur shkojnë për vizitë në Shqipëri, aq sa që shihen atje si “të shtirë” në bisedë. Çfarë ndodh në të vërtetë, dhe cila kategori folësash e ka më të theksuar këtë?

Dukuria është e njohur në sociolinguistikë dhe ka të bëjë sa me dëmtimin e mekanizmave të ligjërimit prej situatës së dygjuhësisë, aq edhe me ndërthurjen e sferave ku secila prej gjuhëve është aktive. Mendohet se një folës që i zotëron njëlloj mirë të dy gjuhët, por që megjithatë i kombinon në ligjëratë, kërkon të tregojë se ai vetë, si identitet, merr pjesë në të dy botët, të paktën kalimtarisht: çka është edhe përkufizimi i vetë mërgimtarit. Ky, pavarësisht nga vullneti për të mbetur kombëtarisht i pandryshuar, e identifikon veten gjithnjë në raport me dy sisteme referimi; madje edhe kur refuzon t’i përshtatet realitetit të vendit pritës. Kur viziton Shqipërinë, ka kontekste ku e ndien të nevojshme ta shfaqë këtë identitet, duke përzier gjuhët. Nuk dua të them se dukuria është krejt e natyrshme; por vetëm që nuk mund të likuidohet si shtirje, snobizëm, ose dëshirë për t’u dukur. As më duket se mund të krahasohet, bie fjala, me përdorimin që i bëhej dikur frëngjishtes nga aristokratët rusë (nëse ju kujtohen sallonet e Tolstojt). Nga ana tjetër, kombinimi i gjuhëve bëhet vetëm në kontekste ku flitet shqip; sepse nuk kam dëgjuar njeri të futë fjalë shqipe kur përpiqet të komunikojë me një amerikan (dhe besoj, kanadez). Kjo varet nga një supozim i heshtur se bashkëfolësi, në një farë mënyre, do të na kuptojë edhe kur të themi ndonjë fjalë ose shprehje në anglishte. Natyrisht, dukuria ka të bëjë, në këtë rast, me prestigjin e gjuhës; meqë anglishtja perceptohet si më prestigjioze, prandaj edhe përdorimi i saj, sado sporadik, do t’ia ngrejë prestigjin folësit. Më në fund, ka mërgimtarë që, në kontakt intensiv me anglishten, e kanë humbur aftësinë për t’u nyjtuar rrjedhshëm në shqipe. Jo të gjithë janë njëlloj të aftë për të ndërruar kod; për disa prej nesh përshtatja me një situatë të re gjuhësore është njëkohësisht edhe shpërshtatje me situatën që kemi lënë pas.

Nganjëherë është e pamundur të shmangësh diçka në anglisht, sidomos emra e tituj. Madje ka dhe shprehje që po të përktheheshin, e humbasin nuancën e përdorimit. Por shumë herë është e panevojshme të përdoren fjalë a shprehje anglisht, pa e thënë këtë nga një këndvështrim purist. Është edhe kjo pasojë e “bombardimit” të gjuhës më të folur në ambientin ku jetojmë, a çfarë është?

Ky është një aspekt tjetër, që njëlloj meriton diskutim. Përjetojmë një kohë të përkufizuar nga depërtimi i teknologjisë në të përditshmen; një kohë që shpesh na mat nëpërmjet aftësive tona për ta përvetësuar këtë teknologji; sidomos në vende si SHBA dhe Kanadaja, që janë në teh të zhvillimeve teknologjike globale. Përfshirja në këto kontekste teknologjike kaq intensive përfaqëson edhe një sfidë gjuhësore kritike, të cilën shqipja që kemi sjellë me vete nuk po është në gjendje ta përballojë. Mjaft të përmendim kompjuterin, ose Internetin, dhe terminologjinë që i mbështjell këto dy fusha. Terma nga më të rëndomtët, si file, drive, driver, firmware, software, motherboard, upload, log in, set up, browser nuk jemi në gjendje t’i sjellim shqip në të folur; madje edhe kur i përdorim me shkrim. Unë vetë, në penë rëndom përdor “shfletues” për browser, dhe “skedë” për file; por nuk më shkon mendja t’i fut neologjizma të tillë në biseda. Që këtej, edhe detyrimi për t’iu falur anglishtes. Doemos, do të ishte mirë të kishim fjalë tonat për këto terma! Jo sepse është “moralisht” e censurueshme që të përziejmë gjuhët, por sepse vetë komunikimi vuan. Një frazë e tillë si: “Kur ta download-ësh file-in, bëje delete atë të vjetrën ose overwrite it,” është në vetvete e shëmtuar, stramastike; pavarësisht se ia del disi ta kryejë funksionin e vet praktik. Në të vërtetë, shëmtimi ia ul rendimentin komunikimit!

Çështja më e përfolur në mërgim, është ajo e shqipes së fëmijve tanë. Nuk mund të mohojmë se ata po rriten e po mësohen nën një “regjim” dygjuhësie: anglisht në shkollë, shqip në shtëpi. Nga ana tjetër, mjaft prindër, edhe pse nuk e dinë mirë anglishten, u flasin fëmijve vetëm anglisht. Në shumë raste ata justifikohen se “shqipja i pengon të mësojnë anglishten”. Si mendoni ju?

Nuk jam i sigurt nëse është vërtet çështja më e përfolur në mërgim. Por di që një numër prindësh e kanë shqetësim, dhe që disa fëmijë e vuajnë këtë dygjuhësi të imponuar, bien në mësime, ndoshta edhe deprimohen dhe humbin konsideratën për veten. Unë vetë jam një prind i tillë. Ime bijë, që tani është pothuaj 15 vjeçe, lindi në Tiranë, por shumë shpejt si familje u zhvendosëm në Itali (Napoli), ku edhe ajo kaloi fëmininë e hershme, në rrethana të tilla kur në kopsht e në shkollë i flitej italisht, ndërsa në shtëpi herë shqip, herë italisht. Kur kapërcyem oqeanin, për t’u ngulitur përfundimisht në New York, Flavia ishte vetëm shtatë vjeç, por fliste dhe shkruante italisht mjaft mirë, në një kohë që ia dilte mbanë të komunikonte edhe shqip, edhe pse nguronte të shprehej në këtë gjuhë të fundit. Në New York, që muajin e parë, zbarkoi në një shkollë publike, në një mjedis të vrazhdë shumëracor ku flitej vetëm anglisht; vërtet humbi një vit shkollë derisa e gjeti veten, por nuk pati vështirësi të mëdha për të ndërruar kod. Anglishtja, shkallë-shkallë, ia zëvendësoi italishten, në një kohë që shqipja nuk iu prek ndjeshëm. Sot identiteti i saj gjuhësor duket pak a shumë i kristalizuar: anglishte në shkollë dhe përgjithësisht në shtëpi (me prindët), shqip në shtëpi (ndonjëherë me prindët, por kryesisht me gjyshërit e gjyshet dhe të tjerë të afërm që nuk flasin ose nuk dinë anglisht), italishte pasive. Megjithatë, dallimi më i madh midis anglishtes dhe shqipes për të ka të bëjë me sferat e përdorimit, jo me ndërfolësit; pse anglishtja është gjuhë me të cilën ajo “njeh” botën, ndërsa shqipja i shërben kryesisht për të riprodhuar lidhjet familjare dhe farefisnore. Të gjithë fëmijët e mërgimtarëve, besoj, e kalojnë një fazë të tillë të përshtatjes me një situatë dygjuhëshe, në forma të ndryshme; dhe zhytja në gjuhën e re nuk është aq traumatike, në vetvete, sa ç’është perceptimi ndonjëherë i hendekut të pakapërcyeshëm midis njerës sferë dhe tjetrës. Problemi ka të bëjë më tepër me përshtatjen e prindërve, sesa të fëmijëve; meqë këta të fundit janë më të përkulshëm, më të hapur ndaj ndryshimeve, më plastikë.

Për të qartësuar edhe me me dygjuhësinë, dhe sidomos për ata prindër që përdorin vetëm anglishten me fëmijtë, mund të thuhet se fjalori i prindërve, në shumicën e rasteve, është shumë i kufizuar; shprehja gramatikore, në mjaft raste, është “origjinale” (duke përdorur vetëm kohën e tashme në të gjitha foljet), për të mos përmendur pastaj theksin, i cili shumë herë edhe ai është improvizues. A i ndihmon kjo anglishte fëmijtë tanë, dhe çfarë do të sugjeronit ju si shkencëtar i gjuhës?

Fëmijëve gjuha u duhet për t’u integruar në shoqërinë e vendit ku jetojnë; prandaj është afërmendsh që do t’i përkushtohen anglishtes me zellin e kujt që lufton për ta ripërkufizuar ngutshëm identitetin e vet. Kjo për fëmijën është çështje për jetë a vdekje, ose të paktën perceptohet kështu. Por edhe ne të rriturve na duhet anglishtja për të njëjtat arsye. Më ka qëlluar të shoh anketa të plotësuara nga punëtorë shqiptarë në zonën e Boston-it, të cilët pyetjes se ç’kurse do të dëshironin të ndiqnin me shpenzimet e ndërmarrjes i ishin përgjigjur të gjithë njëlloj: kurse të anglishtes si gjuhë e dytë (ESL). Kjo flet për vullnetin e mërgimtarit shqiptar për t’u integruar në shoqëri dhe për të funksionuar mirë, si qytetar me të drejta të plota; por nuk më duket se tradhton edhe ndonjë dobësim të ndjenjës kombëtare. Dikur familja mërgimtare specializohej në një ndarje punësh të tillë ku ishte babai ai që përballej me botën, ndërsa nëna rrinte në shtëpi, kujdesej për fëmijët dhe përgjithësisht nuk punonte. Në ato rrethana, “gjuha e nënës” funksiononte ndryshe, sepse fëmijët ishin në kontakt të vazhdueshëm e të domosdoshëm me të paktën një prind që nuk mund të fliste gjuhë tjetër veç shqipes. Ndër mërgimtarët e sotëm, përkundrazi, gratë përgjithësisht po tregohen tepër të hedhura, shpesh edhe më aktive se burrat, në përpjekjet për t’u integruar në strukturat e vendeve pritëse; prandaj edhe fëmijët e kanë më të lehtë të përdorin anglishten edhe në shtëpi. Kështu, po të shihen këto situata me kujdes, nuk mund të mos vihet re se fëmijët kanë një koncept jashtëzakonisht praktik për gjuhën; duan ta përdorin thjesht si mjet për të arritur qëllime të ndryshme; dhe nuk u bëhet vonë për implikimet ndaj identitetit etnik.

Kam vënë re disa fëmijë të cilët nuk duan të flasin shqip, edhe kur prindërit këmbëngulin. Fëmijë të tillë sikur të japin përshtypjen se nuk janë të prirur në gjuhë. Të kuptojnë shqip, të mirëpresin në mimikë, por të flasin vetëm anglisht, pa përdorur asnjë fjalë shqip. Duket sikur nuk munden. Çfarë duhet bërë në këtë rast?

Fëmijët vetë e vuajnë dygjuhësinë, sidomos në përballjet e përditshme me bashkëmoshatarët njëgjuhësh; prandaj edhe rreken ta shmangin sa munden. Për mua problemi është kryesisht psikologjik. Vetë dygjëhësia është, si e tillë, traumatike; sepse gjuha ka një natyrë të tillë që të përfshijë të gjitha nivelet e mendjes, duke i dhënë formë jo vetëm mendimit, por ndoshta edhe botës vetë. Një mendje që vjen duke e zbuluar edhe botën edhe vetveten, si ajo e fëmijës, nuk mund të pajtohet lehtë me dyzimin gjuhësor; është vetë natyra racionale e mendjes (në kuptimin kantian) që e shmang, e refuzon, e shtyn tutje, dhe në pamundësi për ta eliminuar, të paktën e kompartimentalizon. Shqipja këtu, anglishtja atje. Në rrethana të tilla prindërit kanë shumë ç’të bëjnë; sado të stresuar dhe të ndrydhur që të ndihen edhe ata vetë. Në analizë të fundit, fëmijët që rriten në mjedise dygjësore në përgjithësi përfundojnë më të zotët se moshatarët e tyre njëgjuhësh; por kjo përsosje kërkon kohë, durim, mund e ndoshta mirëkuptim prej prindit. E kuptoj edhe që ka prindër që nuk janë në gjendje të integrohen vetë në shoqëritë pritëse, nuk e mësojnë dot anglishten (ose nuk duan ta mësojnë) dhe pastaj rrinë e shohin si u zbehet autoriteti ndaj fëmijëve që zhyten çdo ditë e më tepër në një botë tjetër, prej së cilës nuk mund të komunikojnë dot më lirisht. Fëmijët në familje të tilla ka të ngjarë që ta përjetojnë traumën dygjuhëshe si konflikt brezash. Nga ana tjetër, ka edhe prindër që sforcohen t’u flasin fëmijëve vetëm anglisht, gjuhë e cila në gojën e tyre shpesh nuk mund t’i ketë nuancat, pasurinë, idiomatizmin dhe forcën shprehëse të shqipes. Rezultat i këtij përçudnimi është që fëmija shpesh do ta perceptojë prindin si inferior, sidomos në raport me të rriturit e tjerë në shkollë (mësuesit), të cilët e zotërojnë gjuhën normalisht.

Ju folët më sipër për bijën tuaj, Flavia, e cila është “trigjuhëshe”. Shqiptarët e Kanadasë paraqesin një fenomen të mirëfilltë “trigjuhësie”. Në Montreal, për shembull, fëmijtë shqiptarë ekspozohen në tre gjuhë: frëngjisht, e cila është gjuha e parë në atë provincë, shqip, gjuha e shtëpisë, dhe anglisht, gjuha e dytë në shkollë. Paralelisht në Toronto, e gjetkë ndoshta, kemi fëmijë shqiptarë të lindur e të mësuar në Greqi, Itali, etj, të cilët disa herë vijojnë këtu, veç shkollës zyrtare në anglisht, të ndjekin shkollat greke a italiane, për ruajten e gjuhës përkatëse. Disa nga këta prindër nuk i çojnë fëmijtë në kurset e gjuhës shqipe, nga frika e gjithë kësaj mbingarkese mësimore. Veç faktorëve gjuhësorë, a ekzistojnë vështirësi të natyrës psikopedagogjike për këtë kategori nxënësish?

Pyetja që unë mendoj se çdo prind duhet t’i bëjë vetes herët a vonë është: për se do t’i duhet gjuha fëmijës? Sa do ta ndihmojë të integrohet në shoqërinë e re ku jetojmë, të ndihet i barabartë me bashkëmoshatarët e vet, të marrë pjesë njëlloj në përpjekjet për të bërë përpara në edukim, karrierë, zhvillim shpirtëror? E kam të qartë se instinkti i vetëruajtjes është karakteristik jo vetëm për individët dhe familjet, por edhe për bashkësitë; dhe në këtë pikë i kuptoj mirë të gjithë ata që shqetësohen për ruajtjen dhe përjetësimin e bashkësive shqiptare të mërgatës; mirëpo e kam njëlloj të qartë se bashkësitë e mërgatës janë të përkohshme, kalimtare, kufitare midis një gjendjeje dhe një tjetre. Askush prej nesh nuk ka ardhur në SHBA ose në Kanada për të lëvruar ngazëllyeshëm vlerat kombëtare ose për t’u marrë me folklor; përkundrazi, pasojat e të jetuarit në një vend të huaj janë po aq dramatike sa edhe vendimi i secilit prej nesh për t’u larguar nga atdheu. Është e vërtetë edhe se në të kaluarën mund të gjejmë shembujsh bashkësish shqiptare të cilat i kanë rezistuar asimilimit për shekuj, duke u kapur fort pas vlerave dhe shenjave të tyre etnike - siç është rasti i arbëreshëve; vetëm se arbëreshët, në Itali dhe në Greqi, kanë përfaqësuar ngulime (koloni), çka nuk mund të thuhet, as ka pse të thuhet, kur vjen fjala për mërgatën moderne. Veç kësaj, vetë statusi shoqëror i mërgatës shqiptare ka ndryshuar ndjeshëm; sepse niveli arsimor i atyre që e kanë lënë Shqipërinë është relativisht i lartë dhe ritmet e integrimit të tyre në shoqëritë e vendeve pritëse janë të pakrahasueshme me ato të pesëdhjetë vjetëve më parë. Në kushte të tilla, mërgata shqiptare në SHBA dhe në Kanada do parë tanimë si një mërgatë e suksesshme, që nuk mbyllet në vetvete, as kotet në kultivimin obsesiv të së kaluarës së vet ose të lidhjeve sentimentale me mëmëdheun, por përpiqet t’i hapë vend vetes në realitetin e ri, duke kontribuar ndjeshëm kudo ku aktivizohet. Është kështu e natyrshme që prindërit e atyre fëmijëve që e kanë marrë një farë edukimi fillestar në shkolla të zëmë greke ose italiane, të përpiqen t’ia lehtësojnë fëmijës traumën kapërcimtare, duke e çuar në institucione të tilla ku fëmija do ta ketë më të lehtë, si të thuash, të dekompresohet, të përgatitet për kalimin. Nëse familjet ende u shmangen shkollave shqipe, kjo besoj shpjegohet me atë që, këta prindër, ende nuk i shohin ato shkolla si institucione që do t’ua lehtësojnë fëmijëve kalimtarinë në kulturën pritëse, por më shumë si institucione të kultivimit të “fesë kombëtare”. Ndoshta edhe nuk kanë besim në cilësinë e mësimdhënies. Vetë fëmijët nuk besoj të kenë ndonjë interes të veçantë për të mësuar shqip; sepse fëmijët, siç e thashë, kanë një vizion jashtëzakonisht pragmatik për gjuhën, duke e konsideruar thjesht si instrument integrues në shoqërinë pritëse.

Së fundi, para se t’ju falënderojmë për këtë bisedë dhe për praninë tuaj të kaluar e të ardhshme në gazetën e vetme shqiptare në Kanada, po ju drejtoj pyetjen ndoshta më “të vështirë” të kësaj interviste: Cilat janë përshtypjet tuaja gjuhësore për dy numrat e parë të gazetës sonë?

Zakonisht, kur marr të lexoj një gazetë, nuk e vras mendjen të analizoj gjuhën e artikujve; meqë gjuha e gazetës, me përkufizim, duhet të jetë e tejdukshme. Mirëpo kur gjuha është e keqe, me luhatje të mëdha leksikore dhe sintaksore; ose edhe thjesht e varfër në mjete shprehëse, vetvetiu e humb tejdukshmërinë, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit ndaj formës së tekstit. E njëjta gjë ndodh edhe kur ligjërata e një autori është veçanërisht brilante, siç ishte rasti me një artikull të At Foti Cicit, në numrin e parë të gazetës. Në raste të tilla, tekstet japin edhe kënaqësi estetike, përveçse informojnë, polemizojnë, ose e ftojnë lexuesin të arsyetojë. Gazeta juaj, me këtë rast, u bën lexuesve një dhuratë të këndshme, sado të papritur. Unë shkruaj vetë artikuj dhe ese të formave të ndryshme, por nuk mund të them se e trajtoj stilin ose gjuhën veçmas nga përmbajtja; përkundrazi. I vetmi rregull i detyrueshëm për t’u zbatuar nga një autor që e respekton veten dhe lexuesin është ndjekja e rregullave të standardit gjuhësor, ose shkelja e tyre e vetëdijshme. Ka autorë, në Shqipëri, që qëllimisht përdorin forma të gegërishtes në shkrimet e tyre, si për shembull paskajoren e tipit me punue. Mua ky eksperimentim me forma dialektore nuk më bind, por e kuptoj edhe se shqipja e shkruar ka nevojë të ngutshme që ta zgjerojë arsenalin e mjeteve shprehëse. Përkundrazi, shëmtimi i gjuhës së një teksti nis me padijen ose arrogancën gjuhësore të autorëve, dhe nga kjo pikëpamje gazeta juaj ka ditur të afrojë një numër bashkëpunëtorësh që çdo gazetë shqiptare do të ishte e nderuar t’i botonte: të tillë si Faruk Myrtaj, Përparim Kapllani, Kristina Jorgaqi, Arben Kallamata e të tjerë që me siguri do të vijnë më pas. Autorë të këtij kalibri e shndërrojnë gazetën në magnet për autorë të tjerë cilësorë, dhe jam i bindur se së shpejti problemi juaj kryesor do të jetë t’u gjeni vend shkrimeve që do t’ju propozohen!


Albanian TRIBUNE, 5 qershor 2004