I vetëm në Kanada

Përktheu e përshtati, Endrit Trebicka


Një udhërrëfyes për të sapoardhurit

Kjo rubrikë, e cila do të shtrihet në disa numra të gazetës Albanian TRIBUNE, hapet për të ndihmuar shqiptarët e ardhur rishtaz në Kanada, dhe sidomos ju që jeni vetëm, pa familje. Edhe pse për të sapoardhurit, ky udhërrëfyes do të ndihmojë edhe të tjerë, të ardhur më parë, por që përjetojnë tek-tuk çaste të tilla.

E zëmë se je një shqiptar, emigrant a refugjat, i sapoardhur në Kanada. Me siguri që ke ardhur këtu për një jetë më të mirë, ose, për një jetë me më shumë të ardhme. E vendose dhe erdhe vetëm, pa të afërm e miq të ngushtë. Pa ndihmë. Pavarësisht se përse ke ardhur, a si ke ardhur në Kanada, ti je i detyruar të përshtatesh të jetosh në një shoqëri që është e re dhe e huaj për ty. Disa ditë janë të mira. Disa të tjera, të këqija. Herë-herë pyet veten se përse ke ardhur këtu. Ç’tu desh t’a bëje këtë. Të gjitha këto ndjenja, janë normale. Me kalimin e kohës do të kesh më shumë ditë të mira e më pak ditë të këqija. Do të fillosh të ndihesh më i lirshëm, dhe më i stabilizuar në vendbanimin tënd të ri.

DUKE JETUAR NË NJË KULTURË TË RE

“Dy javët e para isha shumë e gëzuar. Çdo gjë ishte e re. Pastaj vura re se nuk ishte e lehtë për të gjetur punë. Ishte shumë e vështirë.”

Shokim kulture (culture shock) është stresi që shkaktohet nga të jetuarit në një kulturë të re, të panjohur më parë. Është një tronditje, një goditje deri në nervore, mund të themi. Gjithësesi, është diçka normale, pjesë e luftës për t’u përshtatur në Kanada: ushqimi, gjuha, zakonet, njerëzit dhe aktivitetet e tyre krejt të ndryshme. Kjo tronditje kulture mund të influencojë mënyrën e të menduarit tënd, por edhe ndjenjat e tua, emocionale dhe fizike. Për shembull, ti mund të ndihesh i irrituar, i mërzitur, a i zemëruar. Mund të ndjesh se nuk ke besim tek asnjeri, ose të mos ndihesh lirshëm dhe të ushqesh nostalgji të vazhdueshme për mënyrën e mëparshme të jetesës. Mund të ndjesh dhembje koke, irritim në stomak, a lodhje të vazhdueshme.

Shumë të sapoardhur në Kanada përjetojnë ndjenja të tilla tronditjeje. Është shumë vështirë t’a shmangësh, por duhet të mësohesh t’ia dalësh mbanë. Gjëja e parë është të pranosh që po kalon përmes një tronditjeje në një kulturë të re, dhe se nuk ka asgjë për të pasur turp. Është një reagim normal ndaj gjithçkaje të huaj që të rrethon.

Tek po përshtatesh me jetesën në Kanada, përvoja me tronditjen në kulturën e re do të ndryshojë. Kjo tronditje kulture vijon në një qark me disa faza, gjë që ti mund t’a përjetosh më shumë se një herë.

Eksitim: Kur mbërrite në Kanada, ndoshta pate ndjenja gëzimi për mundësimin e ardhjes këtu, dhe për aventurat e së ardhmes. Fillimisht çdo gjë mund të duket mirë e bukur. Përpjekjet për të gjetur shtëpi, punë, për të lokalizuar shqiptarë të tjerë, për të krijuar miqësi të reja e mbushin gjithë kohën. Një xhiro në Danforth me dikë të jep ndjesi argëtuese. Kjo periudhë eksitimi mund zgjasë nga një ditë deri në disa muaj. Për fat të keq, mund të shuhet me kalimin e kohës.

Zemërim dhe mërzitje: Mbas një farë kohe në Kanada, ke kuptuar tashmë se këtu nuk është aq e lehtë, siç t’a kishin tjerrur në Shqipëri, e sa shpresoje ti fillimisht. Mund të duhet të presësh për leje pune, për seancën dëgjimore të refugjatëve (“gjygjin”, siç e quajmë ne), ose për t’u futur në kurset e anglishtes. Mund të mos gjesh punë fare. Arsimi dhe përvoja profesionale e Shqipërisë, a e shtetit ku jetoje para Kanadasë, mund të mos ketë të njëjtën vlerë këtu, siç ndodh në shumicën e rasteve. Sa herë që kërkon punë, të del para shprehja, “Canadian experience”.

Në këtë gjendje është e natyrshme të inatosesh e të mërzitesh. Mund të fillosh të pyesësh veten se, a ishte vendim i mirë për të ardhur në Kanada? Ka të ngjarë të jesh penduar e të mallkosh ditën kur u nise për këtu.

Duke dëgjuar e folur anglisht gjithë ditën, të jep lodhje. Edhe sikur t’a dish mirë anglishten, duhet të përqëndrohesh që të kuptosh theksin kanadez, a theksin e gjithë atyre që flasin anglisht në Kanada. Kjo ka të ngjarë të lodhë shumë, ashtu si përpjekja për të përsëritur vazhdimisht anglishten tënde, që të kuptohet theksi yt nga të tjerët. Duke kaluar në mendje jetën, miqtë, familjen në Shqipëri, të pushton trishtimi.

Në këtë luftë për t’u përshtatur, mund të kesh më pak energji e tolerancë sesa më parë. Mund të kesh probleme me ngrënien dhe fjetjen. Mund të mos të të bëjë zemra për të takuar shqiptarë të tjerë. Është e rëndësishme të dish se kjo që po kalon, është normale.

Paksa i stabilizuar: Së fundi zemërimi dhe trishtimi gjithashtu do të shuhen. Dhe ti do të fillosh të ndihesh më i stabilizuar, tek po mëson më shumë për jetën kanadeze dhe tek mësohesh me ushqimin, motin dhe gjuhën. Do të fillosh t’iu japësh domethënie edhe atyre gjërave që të irritonin a të lëndonin më parë.

Duke jetuar përmes dy kulturave: Duhet kohë që të përshtatet dikush mirë në një kulturë të re. Mund të kalojnë shumë vjet derisa t’a shohësh Kanadanë si vendin tënd. Mund të shohësh, ndoshta, se edhe pse je i lumtur këtu, jeta vazhdon të ketë probleme. Në disa raste, mund të vazhdojë konflikti i vlerave shqiptare me ato kanadeze. Mund të ketë çaste kur do të pyesësh veten se ku përket në të vërtetë, këtu a atje? Edhe kjo është normale. Për disa shqiptarë është më e thjeshtë të përshtaten, për të tjerë është një proces i gjatë e i dhimshëm. Ky shokim, kjo tronditje kulturore (culture shock) mund të zbutet shpejt, ose mund të kthehet përsëri e përsëri, por duhet të kujtojmë se nuk është e përjetshme (Vijon në numrin e ardhshëm).

(Marrë nga Alone in Canada: a self-help guide for single newcomers, Centre for Addiction and Mental Health, 2001)


Albanian TRIBUNE, 7 qershor 2004