MIQ E SHOKË NË KANADA
“E kam tmerrësisht të vështirë të qëndroj në Kanada pa familje, pa miq e shokë. Këtu, më duhet të filloj një jetë krejt të re, të krijoj shoqëri të reja. Nuk është kaq e lehtë të krijosh një jetë të re”. (Shabani)
Të vish në Kanada do të thotë të lësh familje e të afërm, të lësh gjëra që të pëlqejnë, gjellët e preferuara, rutinën e përditshme, por dhe pozitën tënde në shoqëri. Në Kanada kërkohet që t’a fillosh nga e para, të krijosh shoqëri të reja, e të krijosh një jetë të re.
Është normale që të ndihesh i nervozuar, i mërzitur dhe i pështjelluar, teksa përpiqesh të krijosh një jetë kanadeze. Nuk ka fytyra e vende të njohura për të shkuar. Nuk është e lehtë të bësh shokë; kanadezet të japin përshtypjen se janë gjithmonë të zënë me punë. Edhe kur takon njerëz e bisedon me ta, njohuritë e përshtypjet e tyre për Shqipërinë e shqiptarët mund të mos jenë dhe aq të sakta. Gjithë kjo gjendje të bën të lodhesh e të mërzitesh. E kështu kufizohesh të krijosh lidhje vetëm në komunitetin shqiptar, gjë që të pengon të mësosh gjuhën e të përshtatesh në Kanada.
Mos e humb, mos u tërhiq! Me kalimin e kohës do të bësh shokë e miq në Kanada. Është më e lehtë të krijosh miqësi me emigrantë të tjerë të sapoardhur, të kombësive të ndryshme. Me ata ndihesh i barabartë, se ndan të njëjtat probleme, ndërsa bashkë me ta përpiqesh të pështatesh në kulturën kanadeze e shtrëngohesh të flasësh anglisht pa problem, se edhe ata janë njësoj si ty. Miqësi të tilla mund të krijohen në kurset e gjuhës, në qendra stërvitjeje (gym), ose duke bërë punë vullnetare. Ke për të parë se anglishtja jote do të përmirësohet dukshëm, si dhe gjendja shpirtërore në përgjithësi.
Mos harro dhe diçka tjetër. Shumë prej nesh krijojmë miqësi kur jemi (ose kur ishim) të rinj. Me kalimin e moshës është më vështirë të krijosh miqësi të reja, sepse ritmi i jetës së përditshme, familja, puna e hallet nuk të lënë kohë për kësi gjërash. Për pasojë, koha dhe energjia është më e kufizuar.
PO MËSOJ ANGLISHTEN KANADEZE
“Në fillim, kush më shumë e kush më pak, të gjithë kemi probleme me gjuhën. Për ne anglishtja është arma më e rëndësishme sepse për një nevojë, për një hall je i detyruar t’iu drejtohesh kanadezëve në anglisht. Ky është shkaku që kam 11 muaj që ndjek kurset e gjuhës” (Josifi)
Si i sapoardhur, prioriteti i parë për ty është të mësosh gjuhën e vendit që zgjodhe për të jetuar. Kur flet gjuhën bëhesh pjesëtar i shoqërisë së këtij vendi. Niveli i anglishtes ndikon në punët që kërkon dhe mundësitë për të vazhduar arsimimin tënd.
Nuk është gjë e lehtë të mësosh një gjuhë të re. Mund të bësh debate e shaka në gjuhën tënde, por në anglisht mund të hasësh vështirësi për të thënë se ç’mendon e si ndihesh, e kjo me të drejtë të mërzit, e ke të drejtë të nervozohesh kur flet me të tjerët. Nganjëherë mund të kesh edhe frikë se mos vallë ata mendojnë se ti je budalla.
Kur mëson një gjuhë të huaj është më se normale të përjetosh gjëra të tilla. Është mirë të mbash në mendje faktin se, ka shumë njerëz që janë lindur në këtë vend dhe përsëri bëjnë gabime kur flasin anglisht. Po ti, që u linde e u rrite në Shqipëri, në një vend kaq larg, e në një gjuhë krejt ndryshe nga anglishtja? Me kalimin e kohës, do të familjarizohesh me gjuhën angleze dhe ka të ngjarë që t’a mësosh kaq mirë, sa t’a flasësh e t’a shkruash më mirë se dhe vetë vendasit. Shumë të sapoardhur në Kanada frekuentojnë kurset LINC (Language Instruction for Newcomers to Canada), për të mësuar anglisht. Atje të jepet edhe një rast për të krijuar miqësi të reja.
Disa shqiptarë vijnë në Kanada me një anglishte të mësuar mirë. Por duke u ambientuar këtu, do të konstatojnë se sado mirë t’a dish anglishten, është e nevojshme t’a “lëmojmë” atë, sidomos theksin, i cili mund të jetë shumë ndryshe nga ai kanadez. Ndonjëherë ne themi se është mirë të mbajmë këtë apo atë theks, të flasim anglisht edhe me ndonjë fjalë me përdorim britanik, a amerikan, për shembull, por ka raste kur fjalë të tilla nuk kuptohen në Kanada, a madje mund të krijohen edhe keqkuptime. Mbi të gjitha, një këmbëngulje në mënyrën tonë të anglishtes e bën komunikimin me të tjerët më të vështirë. Shumë njerëz nuk janë të prirur në gjuhë që të kuptojnë menjëherë çdo theks e çdo përdorim të anglishtes. Komunikimi në gjuhë është diçka e natyrshme dhe kur kjo vështirësohet, mund të krijojë irritim.
Duke mësuar anglisht është e natyrshme të bësh gabime. Lejoje veten të flasë, qoftë dhe me gabime. Kështu mësohet gjuha. Duke u familjarizuar me theksin kanadez, gjërat janë më pak të vështira. Shumica e njerëzve e kuptojnë se të mësosh një gjuhë të huaj kërkohet praktikë e gjatë në bisedim. Kur ti përpiqesh të flasësh anglisht, ata jo vetëm që nuk do të mendojnë keq për gabimet që bën, por do të të admirojnë për përpjekjen tënde. Përpiqu të argëtohesh me vështirësitë e gjuhës dhe mos ngurro të qeshësh kur gabon e kur krijon keqkuptime në anglisht (Ato që thonë në Shqipëri se ‘vetëm të çmendurit qeshin me veten’, nuk besohen në Kanada). Mos u përpiq të korigjosh çdo gabim sa herë që gabon në gjuhë; trajtoje veten me mirësi! (Vijon në numrin e ardhshëm)
(Përshtatje nga Alone in Canada: a self-help guide for single newcomers, Centre for Addiction and Mental Health, 2001)
Albanian TRIBUNE, 17 korrik 2004