Avioni bëri një rrotullimë duke u dhënë udhëtarëve mundësinë të shikonin më mirë se ku ndodheshin. Ishim në portat e Adriatikut, poshtë dukej plazhi i Durrësit dhe autostrada Durrës-Tiranë. Ashtu siç ishte njoftuar edhe nga personeli i fluturimit, ulja do të bëhej në orar dhe në kushte meteorologjike mjaft të mira, kushte këto që na mundësuan edhe një vështrim nga lart të asaj toke që na kish munguar për një kohë të gjatë.
Pista e aeroportit “Nënë Tereza” megjithëse është riparuar disa herë, përsëri lë për të dëshiruar. Me një gjatësi relativisht të shkurtër bën që uljet të jenë jo dhe aq komode, sidomos në momentin e frenimit. Ndërtesat fillojnë të shfaqen njëra pas tjetrës. Në fillim lokalet anës rrugës dhe më vonë edhe ndërtesa kryesore e aeroportit. Kësaj radhe paskan rinovuar kullën e komandimit, gjë që i jep një pamje disi më serioze dhe moderne këtij aeroporti të vogël.
Ajo që më ra në sy sapo zbrita në tokë ishte shenja: “No smoking” Për një emigrant që vjen nga një shtet ku ligji për ndalimin e duhanit në vende publike është shumë i rreptë, ishte një shenjë se gjërat po ndryshonin për mirë. Mirëpo mbas pak më përgënjështroi polici, i cili me njërën dorë mbante cigaren dhe me tjetrën kapi pasaportën time. E me indiferentizmin e një njeriu të lodhur, dhe jo të interesuar në punën që bënte, pyeti:
- Në Amerikë?
- Po
- Sa kohë keni?
- Katër vjet
Ndërkohë syri i zë një të njohurin e tij me familje, i cili ishte pothuajse nga fundi i radhës së gjatë me shtetas shqiptarë, që prisinin për të vulosur pasaportat.
Ai le pasaportën time në tavolinë dhe drejtohet nga vendi ku miqte e tij po ia bënin me dorë. Një përqafim i ngohtë (me disa të puthura) pyetjet, se si dolën, si kaloi rruga etj ... dhe ai kthehet përsëri pranë sportelit duke më hedhur një vështrim sikur donte të thoshte:
-Janë miqtë e mi ...
Pres të marr pasaporten time e cila ka ngecur në banakun e drunjtë kur polici fillon të vulosë pasaportat e miqve të cilët nga fundi i radhës, tani kanë kaluar në seksionin e bagazheve. Qesh me vete dhe më kujtohet një shkrim, kohë më parë, ku bëhej fjalë për korrektesën e uniformave blu.
Bagazhet kishin ardhur në kohë dhe Renasi (vëllai im), i cili fatmirësisht ka pasaportë amerikane, kishte dalë me kohë dhe po më priste.Njerëzit që kishin dalë të na prisinin na e bënë me dorë nga krahu tjetër i trotuarit. Drini, Pirroja dhe Tika, të gjithë atje nën diellin përvëlues ku ngushëllimi i vetëm për t’u mbrojtur ndaj tij janë lokalet që gumëzhijnë nga hallexhinjtë që presin apo përcjellin njerëz.
Është ora tre mbasdites dhe vapa ka arritur kulmin, kështu që një kafe dhe një ujë i ftohtë do na bënte mirë. Rruga nga Rinasi për në Tiranë është e ngarkuar me trafik dhe bien në sy shenjat “Lavazho”, që ashtu siç thuhej edhe në një shkrim të “New York Times” në mos gaboj, është mirëseardhja e parë që të bie në sy, sapo fillon të futesh në brendësi të tokës shqiptare. Tirana ka ndryshuar dhe ndryshon përditë, tha Drini i cili banon në Tiranë dhe punon për një organizatë ndërkombëtare. Kryebashkiaku Rama ka bërë dhe po bën një punë të konsiderueshme, duke e kthyer nga një mish-mash që ishte para disa vjetësh, në një qytet ku gjërat po ndryshojnë gradualisht. Edhe kur jetoja në Shqipëri nuk më kish rënë rasti të vija shpesh në Tiranë, kështu që edhe vendin ku pimë kafen dhe u çlodhem pak nuk e di, por ishte diku afër rrugës së Elbasanit. Në Shqipëri kafen ekspres e bëjnë të shkëlqyer. Më kishte vajtur në majë të hundes ajo kafeja amerikane që, siç thotë babi im nganjëherë, është “qumësht me sheqer”.
Biseda vazhdon ashtu e qetë duke pyetur për miqtë dhe të afërmit që kemi në Shqipëri dhe matanë oqeanit. Pyetjes sonë se sa mund të zgjasë rruga deri në Korçë, Tika, një burrë në moshë pak të thyer u përgjigj: “Po mos t’kishte punime në seksionin Elbasan-Librazhd do e bënim më shpejt”. Aksi i korridorit të 8-të Elbasan-Kapshticë po konkretizohet çdo ditë dhe po merr një pamje të një rruge me standarde dhe parametra të pranueshëm.
Nisemi për rrugë duke u ndarë me Drinin, i cili premton se nga fundi i javës do të jetë në Korçë. Me të vërtetë seksioni i rrugës ku kryente punimet firma “MAPA” ishte një kantier i vërtetë, dhe lëvizja e makinave krijonte një re tymi e cila të bënte që të të kërcisnin dhëmbët nga rëra që depertonte në gojën tonë. Duke u hedhur sa nga një gropë në një tjetër Benz-i i cili, sipas Tikës që bënte dhe shoferin, është e vetmja makinë që mund t’u rezistojë gropave të rrugëve në Shqipëri.
-Derisa të arrijmë në Librazhd pastaj zëre se kemi vajtur pasi andej është rruga e mirë plotëson Pirroja, i cili deri në këto momente po zhvillonte një bisedë me Renasin.
Sa më shumë i largohesh Tiranës dhe Elbasanit, aq më e freskët bëhet klima. Malet përreth të krijojnë përshtypjen sikur ishin lodhur nga gjithë aktiviteti i ditës dhe prisnin natën të binin në gjumë.
Ndalojmë diku për të furnizuar makinën me naftë.
- Naftë Ballshi, thotë punëtori i karburantit me mburrje.
Por sapo fillojmë të ngjisnim “Qafën e Thanës” makina fillon të bëjë naze duke treguar se edhe nafta ishte me hile. Qeshëm duke ngacmuar shoferin, pasi ishte ai që zgjodhi naftën e vendit dhe jo atë të huajën për të furnizuar makinën.
Liqeni i Ohrit, ose i Pogradecit siç jemi mësuar t’a quajmë ne, shfaqet sapo del në majë të “Qafë-Thanës”. Në këtë prag mbrëmjeje ai ka një pamje të qetë, dhe barkat që lëvizin në sipërfaqe duket sikur duan t’a trazojnë me valet që lenë prapa. Ajri është më i pastër dhe i freskët, duke vërtetuar mendimin se krahina e Korçës ka një klimë të shëndeteshme. Njollat e errëta dhe të çelura që nga lartësia ku ndodhemi janë edhe me të dukshme, vërtetojnë për ato të ashtuquajturat gropa që ka ky liqen, duke treguar dhe thellësinë e tyre. Megjithëse është famëkeq për aksidentet që ndodhin këtu gjatë sezonit të plazhit, përsëri qytetarët e Korçës dhe gjithë zonave përreth e frekuentojnë atë gjatë gjithë periudhes së verës si për plazh, ashtu edhe për të shijuar peshkun e famshëm që rritet atje, koranin. Tava me peshk është specialiteti i kuzhinave të lokaleve që janë ndërtuar buzë liqenit, duke bërë që në çdo moment të ditës këto lokale të jenë të frekuentuara nga klientë të shumtë.
Nata po afron dhe nga larg dallohen dritat e shtëpive që ndodhen në kodrat rreth qytetit; po arrijmë në Korçë ...
(Vijon në numrin tjetër)
Albanian TRIBUNE, 17 korrik 2004