Të dhëna për pyjet në Kanada

Nga Arben Pustina


Në shtator të vitit të kaluar Kanadaja priti Kongresin XII Botëror të Pyjeve, në provincën e Kebekut, me temë, “Pyjet burim jete”. Në këtë kongres mori pjesë dhe një përfaqësi nga Shqipëria, kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Pyjeve e Kullotave pranë Ministrisë së Bujqësisë e Ushqimit. Është me interes për ne të njohim disa të dhëna lidhur me pyjet në Kanada.

Kanadaja ka një popullsi prej 31.1 milionë banorë dhe sipërfaqe totale 997 milionë hektarë, duke zënë vendin e dytë në botë, pas Rusisë.

Sipërfaqja tokësore arrin në 921.5 milionë hektarë me këtë renditje:

- 417.6 milionë ha janë pyje nga të cilat:

- 234.5 milionë ha (baraz me sipërfaqen e detit Mesdhe) janë pyje për qëllime tregtare që mund të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme. 19% e tyre nuk lejohen të shfrytëzohen për shkak të politikave pyjore dhe ligjore;

- 119 milionë ha janë pyje që menaxhohen për përdorimin e lëndës së drurit;

- 24.5 milionë ha janë parqe kombëtare dhe 32.3 milionë ha janë parqe provinciale.

Në Kanada jetojnë 140.000 lloje speciesh, bimësh e kafshësh, 10% e pyjeve të botës dhe më shumë se 20% e ujërave të ëmbla të botës rrjedhin në Kanada. Pyjet i japin ekonomisë kanadeze 34 billion dollarë të ardhura, dhe krijojnë 353.000 vende pune. Eksportet në vitin 2001 arritën 44.1 bilion dollarë dhe u dërguan në më shumë se 120 vende të botës. Rreth 0.4% ose 1 milionë ha të pyjeve tregtare shfrytëzohen çdo vit. Rreth 1.6% e pyjeve preken nga zjarret, insektet dhe sëmundjet çdo vit dhe lihen të rigjenerohen në mënyrë natyrore. Pyjet natyrore dominojnë dhe pyllëzimet nga njeriu janë akoma të rralla.

94% e pyjeve janë shtetërore, dhe vetëm 6% janë private (individë, familje, komunitete, dhe kompani pyjore). Sipas tipit të pyllit 67% përbëhet nga halorët, 18% nga lloje të ndryshme dhe 15% nga fletorët.

Kanadaja ka një strategji kombëtare të pyjeve 1998-2003, strategji të biodiversitetit, 1998. Pjesëmarrja e publikut për zhvillimin e qëndrueshëm është mjaft e fuqishme dhe për këtë është krijuar tavolina e rrumbullakët kombëtare për mjedisin dhe ekonominë, qysh prej vitit 1988. Kanadaja ka përgatitur një plan veprimi 3-vjeçar për ndryshimet klimatike për “vlerësimin e mundshmërisë për pyllëzime për thithjen e karbonit”.

Tetëmbëdhjetë milionë hektarë, ose 15% e pyjeve të menaxhuar në Kanada, çertifikohen sipas tre sistemeve të çertifikimit që janë të miratuara. 106 milionë hektarë çertifikohen sipas sistemit të menaxhimit mjedisor, ISO 14001.

Sipas një studimi të WWF rreth 8.4% e sipërfaqes pyjore në Kanada është e mbrojtur, gjë që përbën sipërfaqen më të madhe të pyjeve të mbrojtur në botë. Sipërfaqja totale e zonave të mbrojtura në Kanada është afërsisht sa sipërfaqja tokësore e Gjermanisë dhe Francës, të marra së bashku (Përshtatur nga The State of Canada’s Forests).


Albanian TRIBUNE, 17 korrik 2004