I nderuar At Foti! Kisha ortodokse shqiptare e Kanadasë ka hapur websitin www.albanianorthodox.com, një site shumë i ngarkuar me libra e të dhëna të tjera. Mund të na jepni një përmbledhje të punës suaj?
Faqja jonë elektronike, me emrin e dyfishtë www.shqiptarortodoks.com dhe www.albanianorthodox.com, u krijua para pesë muajsh me ambicjen për të ngritur një bibliotekë virtuale në ndihmë të ortodoksëve shqiptarë, parësisht, por dhe të studiuesve e studentëve të albanologjisë, si edhe të gjithë atyre që nuk e ndajnë veten nga përqasja ndërkulturore përmes së cilës formohet tashmë brezi ynë. Kështu, puna më e madhe në site është tekstuale dhe ndahet të paktën në pesë seksione: botimet biblike (1872-2000), botimet liturgjike (1908-1999), tekste spirituale (përkthime nga anglishtja dhe greqishtja), statutet e kishës ortodokse shqiptare (1923-1996), si dhe shkrime mbi çështjet e ortodoksisë shqiptare. Veç librave, kemi dhe seksionin e audios, ku është marrë Dhjata e Re, recituar nga Timo Flloko, si dhe një seri predikimesh në shqipe, të cilat kam transmetuar nëntë vjet të shkuara në radion kishtare të Athinës. Në rubrikat e informacionit, vend të dukshëm zë jeta shqiptare në Kanada, ku, me lejen tuaj, kemi një rubrikë me qëmtime shkrimesh nga Albanian Tribune. E sigurisht, ekzistojnë nënfaqet përkatëse për bashkësitë ortodokse të Torontos dhe Montrealit, si dhe materiale të tjera.
Mund të na thoni diçka për botimet e Kristoforidhit?
Ato zënë vendin e parë në punën tonë, duke hapur seksionin e teksteve biblike. Qëllimi është paraqitja paralele e të gjitha versioneve të mundshme biblike në shqipe, duke i ndarë ato sipas gjinive: përkthimet në dialekte, pastaj ato në shqipen e sotme, dhe më tej botimet dygjuhëshe, anglisht, italisht, etj. Përkthimet e Kristoforidhit i përkasin traditës, domethënë trashëgimisë dialektore të shqipes, dhe ne kemi kompjuterizuar versionet gegërisht e toskërisht të Dhjatës së Re, 1872 e 1879 përkatësisht. Ekzistojnë edhe libra të tjerë të përkthyesit të madh, përkthime nga Dhjata e Vjetër në të dy dialektet, të cilat janë pjesë e punës sonë të ardhshme në këtë “bibliotekë”. Gjithsesi, dy botimet e Dhjatës së Re, të cilat kemi elektronizuar, nuk ekzistonin më parë në internet. Botimi toskërisht është i njohur nga versioni i tij fizik, i transliteruar nga alfabeti grek në alfabetin e sotëm mbas vdekjes së Kristoforidhit, dhe i riprintuar shumë herë, madje dy herë mbas viteve 90, fillimisht në Selanik dhe më vonë në Tiranë. Versioni gegërisht është më pak i njohur, edhe pse i pari. Edhe ky përkthim është ribotuar vitet e fundit, por ne kompjuterizuam fillimisht botimin fillestar, 1872, me alfabetin origjinal, gjë që vështirë se gjendet sot në biblioteka. Para pak ditësh, për shembull, një website akademik në ShBA linkoi në bibliotekën e tyre virtuale pikërisht faqen e përkthimeve biblike të www.shqiptarortodoks.com. Pra, edhe pse në fillim, të interesuarit po e lokalizojnë punën tonë.
Pjesën më të madhe e zënë librat e Nolit, gjë që është edhe më afër profilit tuaj. Çfarë kriteresh keni përdorur për kompjuterizimin e përkthimeve të peshkop Nolit?
Renditja e librave të Nolit është periodizuar, sipas vlerësimit të formuluar në shkrimet e mia përkatëse në shtyp. Pra, gjashtë librat e periudhës së parë, 1908-1914, zënë vendin e parë, dhe pastaj renditen tre botimet voluminoze të periudhës së dytë, 1941-1952. Edhe pse puna kryesore ka përfunduar, dy-tre vëllime janë ende në proces, midis tyre edhe Kremtorja e 1947-ës, i cili është dhe libri më i madh i Nolit, rreth 800 faqe.
Për sa i përket kritereve të punës, kompjuterizimi i këtyre teksteve është vetëm fillimi, për të ecur pastaj në formatimin e librave të skanuar në word, gjë që kemi filluar tek disa libra, më sistematikisht tek rubrika “Versione të meshës në shqipe, 1909-1999”, ku paraqiten në mënyrë paralele shumë përkthime, jo vetëm të Nolit, të të njëjtit tekst, të Meshës së Gojartit, përgjatë pothuaj një qindvjeçari. Kjo renditje tekstesh është shumë e përdorshme për studentët e gjuhësisë, për shembull, të cilët duan të ndjekin ecurinë e shqipes. Procesi i formatimit të librave në word, mbas skanimit dhe procesit të OCR (Optical Character Recognition), është një punë shumë e imët, dhe kërkon kohë e përqëndrim për të sjellë në trajtë kaq të përdorshme mijëra faqe të shtypura me simbole që nganjëherë e vështirësojnë procesin, sepse disa prej tyre nuk ekzistojnë në alfabetin e sotëm.
Duke klikuar në çdo libër të Nolit, a edhe të tjerë në webin tuaj, disa janë të formatuar në disa mënyra, si në pdf, microsoft reader, etj, gjë që të jep përshtypjen se po bëhet një investim i merituar. Si mundet kisha juaj të financojë një projekt të tillë, kaq profesional?
Gjithë ky projekt bëhet për shqiptarët, por nuk investohet nga kisha, sepse thjesht nuk jemi në gjendje. Ne e filluam punën me një faqe tekst, pa e ditur se do të arrinim këtu. Sigurimi fizik i teksteve është pjesë e bibliotekës sime personale, në pjesën më të madhe, frut i hulumtimit dhjetëvjeçar në Tiranë, Athinë, Angli e Amerikë. Ka tekste që as unë nuk i kam, por na janë ofruar nga njerëz dashamirës, ndërsa të tjerë po i kërkojmë. Ndërsa elektronizimi dhe formatimi i teksteve, që të dalim tek çështja e financës, është një punë intensive që kryhet nga një ekip prej tre vetësh, krejt vullnetarisht.
Barrën kryesore e ka Majk, administratori aktual i faqes sonë, i cili është arbëresh kanadez, një djalë i uruar në çdo pikëpamje; ai meriton mirënjohjen e komunitetit. Majku punon në mirëmbajtjen e njërit prej websiteve më të mëdhenj të Kanadasë, dhe është fat për ne të kemi një bashkëpunëtor të tillë, me dije e përvojë të mirëfilltë, e njëkohësisht dashamirës ndaj çështjes shqiptare. Mbas tij vjen Alban, i pari i besimtarëve të Shën Astit, tek i cili shpresojmë të marrë përsipër në të ardhmen dhe administrimin e www.shqiptarortodoks.com. Edhe Albani ka profil të përafërt në profesion me Majkun, plus që ndan të njëjtin shqetësim me ne për çështjen ortodokse shqiptare, të cilën e ka ndihmuar kaq shumë në Toronto.
Praktikisht, mbas skanimeve dhe procesit të OCR që bëjnë çunat, pjesa tjetër më ngelet mua, domethënë kontrollimi fjalë për fjalë dhe korrektimi i teksteve, që shumë herë dalin të transformuara keq nga natyra e printimeve të vjetra në shqipe. Unë kam përgjegjësinë e drejtimit të faqes, ideimin dhe detajimin i saj, dhe bashkëpunimi midis nesh është i shkëlqyer. Në kishën ortodokse shqiptare, si parantezë, ekziston një traditë abuzimi për sa i përket punës së përbashkët, e cila rëndom ka marrë, dhe vazhdon të marrë, emrin e një personi. Unë dua të theksoj këtu se merita kryesore për këtë projekt i përket Majkut dhe Albanit, pa të cilët idetë e mia do të mbeteshin thjesht idera.
Si ju lindi ideja e kompjuterizimit të këtyre veprave të rëndësishme të gjuhës shqipe dhe cili është synimi juaj?
Ideja e një këndi elektronik për ortodoksët shqiptarë lindi nga fakti se një faqe e tillë nuk gjendet në gjuhën shqipe. Dy selitë ortodokse shqiptare të sotme, Tiranë e Boston, kanë ngritur uebsite në anglisht, të cilat le t’i shohin vetë lexuesit e të gjykojnë vetë tashmë. Ideja e Nolit dhe e Kristoforidhit doli si pjesë e kësaj përsiatjeje. Më lejoni të bëj këtu një parantezë të madhe. Një nga ëndërrat që më sillet shpesh është ribotimi i përkthimeve kishtare të Nolit në një botim kritik, me shënime shpjeguese për të interesuarit, e pse jo me origjinalin greqisht përbri, sidomos të gjashtë librave të periudhës së parë përkthimore, sepse këto botime nuk gjenden më dhe nuk duhet të humbasin, nga njëra anë, por janë edhe më të përshtatshme për një studim të tillë tekstual-ndërkulturor, nga ana tjetër. Kjo do të hapë një shteg të ri në studimet përkthimore, dhe kam modestinë të besoj se mund t’a çoja mbanë këtë projekt. Një punë e tillë, veç të mirave të tjera, do të zinte vendin më të madh në studimet shqiptaro-greke, që një ditë duhet të zhvillohen në Shqipëri. Sepse vetëm kështu mund të marrë Noli përmasat që i takojnë. Një projekt i tillë, veçse, parashtron institucione të cilat sot nuk janë të disponuara të mendojnë kështu. Bëhet fjalë për një investim që ne nuk jemi në gjendje të ndërmarrim. Pra, duke kompjuterizuar Nolin, kemi krijuar mundësinë e rileximit të tij nga të gjithë shqiptarët, ose, më saktë, të leximit të të gjithë Nolit, si dhe kemi hapur udhën për ribotimin e veprës së tij liturgjike, e cila ka dalë nga kisha ortodokse dhe është bërë pjesë legjitime e albanologjisë. Pa hiberbola, rrëmbimi me këto tekste, investon kujtesë kulturore në diasporë.
A ka diçka të re në këto botime online, apo është thjesht një regjistrim i librave në përdorim e sipër?
Seksioni i përkthimeve, “Tekste spirituale”, për shembull, përbëhet në pjesën më të madhe me tekste të reja, siç është përkthimi im nga anglishtja i librit The Orthodox Way, i autorit më të njohur ortodoks në perëndim, K. Ware, etj, por nëse iu kthehemi botimeve biblike e liturgjike të Kristoforidhit dhe të Nolit, edhe atje ka gjëra të reja. Siç përmenda, botimi gegërisht, me alfabetin origjinal, është një botim i rrallë. Ndërsa tek librat e Nolit ekziston tashmë online diçka e munguar edhe në bibliotekat më prestigjioze. Është libri i parë liturgjik në shqipe, i vitit 1908, i cili është kaq i panjohur saqë edhe teologu Dhimitër Beduli-ndjesë pastë!-shkroi me keqardhje në një analizë që iu bëri botimeve liturgjike të Nolit, titull për titull, se nuk kishte pasur rast as t’a shihte këtë libër. Trajtesa në fjalë u botua nga Beduli në vitin 1961, kur rronte Noli, dhe, u ripunua nga vetë Beduli mbas viteve 90. I ndjeri teolog ishte shumë më i privilegjuar të hulumtonte. Ai i kishte dyert njësoj të hapura si në Tiranë ashtu edhe në Athinë, si në Stamboll ashtu edhe në Boston, gjë që për ne, për arsye që ka lidhje me krizat e këtyre katër qendrave kishtare, një mundësi e tillë hulumtuese është thjesht e pamundur. Megjithatë, libri “Noli 1908” mbeti i panjohur nga nolistët, edhe pse, sipas gjykimit tim, është një tekst shumë i rëndësishëm për studimet noliane, sepse është libri i parë liturgjik në gjuhën shqipe, atje përdoret një alfabet tjetër, dhe tekstualiteti i tij na ndihmon t’i qasemi Nolit liturgjik në përqasje me librat e tij të mëvonshëm. E pra, ne e gjetëm këtë libër të çmuar në bibliotekën e Harvardit para disa vjetësh, dhe tani po e ndajmë me ju.
Duke folur për Fan Nolin, dëgjohen sot opionine shumë të forta në mbrojtje të tij, por edhe të tjerë thonë se ai është i tejkaluar. Cili është mendimi juaj?
Pa dyshim, ekzistojnë klane që kanë shprehur qëndrime antinoliane. Një palë e lufton peshkopin tonë për distancimin e shqiptarëve ortodoksë nga hegjemonia greke që ai mundësoi, e nënvizoj, nëpërmjet këtyre librave që ne po ju paraqesim. Të tjerë e urrejnë Nolin për bindjet e tij politike të ndryshme me të tyret. Klane të tjera nuk pajtohen me Fan Nolin, por gjejnë tek ai disa fragmente që duket se iu shërojnë atyre plagët e mendjes. Siç duket nga përshkrimi, shumica e këtyre palëve janë midis tyre ndërluftuese, dhe e vetmja pikë dakordimi është çnolizimi i realitetit shqiptar. Nuk mund të fshehim se të gjitha klanet antinoliane përbëhen nga shqiptarë, por ato dy më të dëgjuarat nxiten nga faktorë joshqiptarë, ortodoksë dhe islamikë përkatësisht.
Noli ka nevojë për t’u shfletuar i tëri. Plotësimi i këtij leximi të Nolit, domethënë interdisiplinimi i studimit të veprës së tij, është mbrojtja më e mirë që mund t’i bëhet Fan Nolit. Pa ekzagjerime, ata që njoh unë dhe që bërtasin për Nolin, në grumbullin e tyre kanë lexuar vetëm fragmente të Nolit. Nuk është e lehtë të lexosh të gjithë Nolin, domethënë rreth 50 libra e mijëra shkrime në disa fusha e në disa gjuhë, e madje të lexosh dhjetëra libra të tjerë e qindra artikuj që janë shkruar mbi Nolin. Unë kam dymbëdhjetë vjet që po hulumtoj në këto ujëra, dhe nuk besoj se e njoh Nolin siç duhet. Por ama po thellohem në aspektin e tij kishtar, gjë që përfshin tre të katërtat e gjithë veprës së tij të botuar, një fushë e parrahur, duke bashkëpunuar me studiuesit e tjerë të Nolit, për fushat e tjera të tij, për të cilat ata janë lëçitës. Noli ka nevojë për t’u lexuar e për t’u ribotuar e tëri. Profesor Nasho Jorgaqi ka filluar ribotimin e Nolit “sekullar” në dymbëdhjetë vëllime, edhe pse ka botuar gjithë ato libra më parë për Nolin. Për të tillë mbrojtës ka nevojë Noli.
Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes suaj, nëse Noli është “i tejkaluar”, do të thoja se kjo është kundërthënë nga disa që kanë vënë fjalë të tjetërthëna në gojë të artikuluara ndershëm. Janë tentativa që, herë me dashje e herë pa dashje, duan të vrasin risimin e mendimit shqiptar, për të dëshmuar edhe tek ky brez stërthënën e paslindjes, me ninullat e amanesë, për të qytetëruar kësisoj me kryeneçësi në alternativën e mallkuar të kikeonës ...
At Foti, çfarë mund të vlejë Fan Noli sot për ju?
Fan Noli është shqiptar bujtës në vegimet e brezit të pasdiktaturës. Duke u bazuar tek ai mund të ecet përpara, për të plotësuar tiparet e shqipes ortodokse, e cila nga një zhargon i jargëzuar ngjizash, të arrijë shqiptarin e sotëm, arëmbjellësin gjuhësor të së ardhmes. Ne teologët shqiptarë kemi përgjegjësi për njehsimin e gjuhës së adhurimit dhe motërzimin e saj me standardin gjuhësor. Këmbëngulja për futjen e shqipes në adhurim, para një qindvjeçari, është një paralelizim i goditur me këtë problematikë. Zbatimi i këtij procesi është një nga tiparet e munguara të ortodoksisë shqiptare. Pengesat për reforma të tilla, që në thelb nuk janë reforma por zbatime mësimesh ortodokse, qëndrojnë tek piotizmi i misionarëve grekë në Shqipëri dhe sidomos tek kultizimi, me metoda grupore, i primatit të KOASh-it, nga njëra anë, si dhe tek folklori që po trashëgohet në peshkopatën protokollare të Bostonit, nga ana tjetër, me simptomat e qarta përfituese.
Kontributi më i madh kulturor i Nolit ka qenë pikërisht reforma e tij gjuhësore, kultivimi, pra, i një gjuhe që duhet të dilte nga format nëndialektore të atëhershme, por dhe të tejkalonte format dialektore puritane/artificiale të Kristoforidhit. Një shqipe edhe pse dialektore, të pasurohej me terma që konsideroheshin atëherë tabu, një gjuhë tej Kristoforidhit, i cili atëherë trajtohej si gjysmëhyjni (siç trajtohet sot Noli). Por kjo punë dritësjellëse e Nolit të asaj kohe, do të thotë për ne sot dalje nga zhargoni ekzistues statik (i cili përbëhet nga: Kristoforidhi+Noli+misionarët grekë), në një shprehje gjuhësore mbidialektore, standarde, të sotme. Kur sherrxhinjtë nuk kuptojnë kaq gjë, si do kuptojnë veprat e Nolit, të cilat në pjesën dërrmuese janë përkthime nga greqishtja. Po të dëgjosh vetëm ata, të jepet përshtypja sikur Noli hante vetëm gjizë ...
Duke parë kalimthi veprimtarinë tuaj, për ne që nuk jemi aktivë në kishë, duket se ju kërkoni të krijoni një figurë të Nolit në shoqërinë e sotme shqiptare. Sa e vërtetë është kjo?
Gabimi nuk fillon tek unë por tek Noli, domethënë se sa të gabuar janë këta bashkëkohës kur vlerësojnë sendet e kaluara e të tashme. Duke e piketuar kryeherën e dritës shqipe tek Noli, ne ngremë, pa dashje, pikëpyetje mbi gjenezën dhe pjekurinë tonë si komb. Kush tha se nuk ka pasur Nolë para Nolit? E, për sinqeritet, kush tha se nuk ka pasur Kristoforidhë para Kristoforidhit? Epoka e këtyre gjenive ishte kohë që kishte nevojë për të përqëndruar shumë dhunti e ngjarje tek një intelektual, me fuqi të tilla shprehëse, marramendëse, që të sfidonin pararendësit, të çudisnin e të dalldisnin bashkëkohësit, shqiptarë e të huaj, me artshmërinë por dhe me njerishmërinë e tyre. Epoka e bëri Nelkon Kristoforidh dhe Mavromatin Nol, dhe jo e anasjellta. Këta të dy ndiheshin mjaft mirë si rrogëtarë në kishat greke, e nuk e kishin problem që kur nënshkruanin në anglisht, për shembull, e shkruanin emrin dhe mbiemrin me “s” në fund.
“Nolët” e mëparshëm bënë punë të tjera të mëdha, por jo në “çështjen kombëtare”, dhe u mjaftuan të shijojnë pemët e epokës së tyre, e cila nuk kishte nevojë për gjigantë. Por në qoftë se epoka e Nolit do të bënte “ndarjen e drejtë” të dhuntive ndër shqiptarë, siç e gëzojmë sot, kisha jonë do të ishte më e pasur. Duke identifikuar Nolin me autoqefalinë, fjala bie, ne mashtrojmë, se Noli nuk ishte fare i pranishëm në kongresin e Beratit, i cili jo vetëm që shpalli autoqefalinë, por dha provat fizike për mëvetësimin e kishës, me debate, polemika, votime e procedura të tjera kolegjiale që mëtonin pjesëmarrje sy më sy. Kongresi hartoi tekste e statute, harxhoi ditë të tëra për të bashkuar shqiptarët ortodoksë të gjithë Shqipërisë, se pa këto procedura nuk do të vinin në Shqipëri dy peshkopët shqiptarë nga Fanari, të cilët bënë edhe Nolin peshkop një vit më vonë. E megjithatë, situata është e tillë, saqë unë druhem të pyes se çfarë do të ishte Noli në historinë e kishës sonë në qoftë se nuk vinte peshkop Jerotheu nga Stambolli...? Fyhet, pra, me vlerësime të tilla amatoreske, dhe përdhoset, kujtesa jonë kombëtare, shumëzohet me zero tradita ortodokse në Shqipëri, sepse një popull që ka vetëm disa gjeni e pjesën tjetër i ka plehra, nuk mund të pretendojë se është popull i qytetëruar, pra nuk e meriton as autoqefalinë, e cila nuk garantohet me dhunti (as dje, e as sot), por me ndërgjegje kishtare e mendim teologjik vendor.
Që të mos t’i shmangem pyetjes, unë e pohoj se pa Nolin nuk do të isha ky që jam, por vendim’marrja ime bazohet shumë më para Nolit, atje ku u mbështet edhe vetë Noli e të tjerë para tij. Noli nuk e shpiku shqipen, por e gjeti dhe e lëroi, nuk i bëri shqiptarët ortodoksë, por iu përgjigj dhe i lartësoi ata si të tillë. Ashtu si Noli mendonte gjëra të reja për sendet paraekzistuese, kështu edhe ne ftohemi t’a vrasim njësoj mendjen e të mos mbetemi tek Noli. Kjo është pika ku Noli, domethënë shëmbëlltyra e tij e keqkuptuar dhe e mitizuar nga industria e nacionalizmës së sotme, kthehet në pengesë për kishën ortodokse. Prandaj dhe thashë në fillim se gabimi nuk fillon tek unë, por tek mosnjohja e Nolit. E thënë ndryshe, Noli ishte ai që imitoi i pari, por nuk imitoi Kristoforidhin, përkundrazi... Unë pranoj vetëm një zonë imitimi, të bërit njësh me një realitet, e jo shëmbëllimin me dikë, sepse imitimi me terma jo njehsues është majmunizëm.
Këto tema të Nolit, At Foti, janë me shumë interes, por dhe shumë të gjera për debat. Me mundësitë e kësaj interviste dua të kthehem e të konkludoj tek tema e kompjuterizimit të Nolit. A mendoni se ky website ka marrë trajtën përfundimtare?
Do të thoja se ka marrë formë dhe e justifikon ekzistencën edhe me gjendjen e tanishme. Por në ëndërrimet tona ky është vetëm fillimi. Në muajt që vijnë ne kemi një suprizë tjetër në këtë drejtim, prapë një përpjekje risuese dhe rrënjësisht informuese. Kur t’a përfundojmë projektin do t’jua bëjmë të ditur, ndërkohë të interesuarit ftohen t’a shfletojnë uebsitin www.shqiptarortodoks.com dhe të na dërgojnë përshtypjet e tyre. Nëse ngritja e një biblioteke të tillë online e vlen përfshirjen, ne mirëpresim bashkëpunëtorë me njohuritë përkatëse dhe me dëshirën për të ofruar pak orë në javë për çështjen shqiptare, në një projekt të tillë me përmasa kulturore. Mirënjohje e falënderime!
Albanian TRIBUNE, 17 korrik 2004