Të sapoardhur në (at)dheun e tyre

Nga Faruk MYRTAJ


I ndodhur në klimë tjetër sociale, shqiptari i mërguar (sidomos në Kanada), e “vuan” mospërparimin jo më pak se ai që vuan “me atdheun në shpinë”. I ndodhur në një mjedis shumë më civil, duke vëzhguar një qeverisje krejt tjetër, një shtet të vërtetë, ai pyet: shkuan dymbëdhjetë vite tranzicion, jemi pothuaj si atëherë. Sa do të vazhdojmë kështu?

Politika dhe shteti i atjeshëm shfaqen të vënë në dyshim. Deri në nivelet më të larta, të gjithë në akuzë për korrupsion a për krim. Kjo klimë e le qytetarin pa mend.

Po më tej? Ç’do të bëhet më tej? Politika e pozitës duket se nuk ka asgjë të përbashkët me politikën e opozitës dhe nëse do të ndodhë të këmbehen vendet, përsëri kjo klimë do të mbetet? A kanë pozita dhe opozita të korruptuarit e tyre dhe nëse po, përse nuk i bëjnë publike këto të vërteta? Nëse as akuzat që i bëjnë njëra-tjetrës, ose ato akuza që pjesë të tyre-të pozitës dhe opozitës- i bëjnë pjesës së mbetur apo të ikur në gjysmat përkatëse nuk janë të vërteta, përse bëhen? Nëse asnjë ndryshim nuk kanë partitë e reja nga partitë e vjetra, përse duhen krijuar apo rikrijuar edhe ato?

Ata që besohen si njerëz të ndershëm në Shqiperi u ngjajnë indianëve nativë, vendasve të parë, të hershëm të kontinentit të ri, të sapozbuluar e të shkelur nga ata që u thirrën kolonizatorë. "Kolonizatorë" realisht janë veçse politikanët tanë. Ca vijnë nga lindja, ca nga veriu, ca nga jugu dhe ca shtiren sikur vijnë nga perëndimi natyror, por të gjithë si të sapoardhurit në kontinentin e ri, të gjithë nxitojnë si e si të pasurohen me çdo kusht e me çdo çmim, mjaft që të pasurohen.

Të ndershmit, të urtët, ata që janë në truallin e pronën e tyre, që kërkojnë veç hisen e tyre të diellit dhe të gëzojnë atë që në të vërtetë ua ka dhuruar Perëndia dhe jo politika, po ndjehen çdo ditë e më të kërcënuar. Asnjëra prej qeverive të pluralizmit nuk ua njohu pronën, tokat dhe kullotat e tyre, burimet e lulet e lëndinave të tyre. Asnjëra prej tyre nuk bëri ligje për t'ua ruajtur e respektuar të drejtën natyrore si të lindur në këtë vend që akoma quhet Shqipëri!

Të sapoardhurit (the newcomers!), politikanët tanë, tërësisht si kolonizatorët e dy shekujve më parë kanë krijuar partitë dhe ushtritë e tyre dhe nxitojnë nga njëra legjislaturë në tjetrën, të shtojnë e të shtrojnë ca rrugë për të shtrirë edhe më tej sundimin, pronat dhe floririn e tyre. Të tërë kapitalistët e rinj, që ligjërisht nuk kanë asnjë privilegj në raport me pronarët e lindur në këtë truall, nativët janë tërësisht të ruajtur dhe të privilegjuar, se kanë mbështetjen e ligjit të pashkruar prej politikës, që vetëm prej tyre bëhet, kthehet në ligj në një Kuvend, ku deputetët-politikanë kurrë nuk flasin pa lejen e partive, dhe pastaj zbatohet në mënyrë krijuese. Vini re mjerimin e pronarëve të mesëm të djeshëm: as pronat nuk i morën e as mundësi nuk kanë të ndjehen në konkurrencë të barabartë e të lirë me të ardhurit e rinj të politikës!

Shqipëria ndjehet çdo ditë e më shumë si e huaj për njerëzit e thjeshtë: ata nuk kanë pronë të vetën. Por absurdi i përditshëm shqiptar ngrihet edhe në faktin tjetër, se ata nuk gjejnë dot as punë. Nëse pushtuesit e Amerikës së indianëve e shtrinë sundimin e pasurimin e tyre deri në brigjet e Atlantikut, duke hapur hekurudha e rrugë të pafundme, duke ngritur qytete e duke mbjellë plantacione, duke e futur qytetin atje ku s'ishte ëndërruar kurrë, duke mbajtur në njërën dorë Biblën e në tjetrën Kushtetutën e Re, të ardhurit në kontinentin e sapozbuluar nisën për t’a transformuar Indinë perëndimore në shtetin e ardhshëm më të fortë e më demokratik në botë.

Në Shqipëri tani sa nuk po bëhet e besueshme, madje po quhet si e pashmangshme ajo se, tashmë nuk ka më të djathtë tradicionale, nuk ka as të majtë të shekullit të kaluar: ka vetëm njerëz që po bëjnë pará (nëpërmjet politikës, ose nën protektin e saj), me të cilat, nesër apo pasnesër, do të bëjnë të djathtën e re, të Djathtën Moderne. Pjesa që do të mbetet: pa prona, pa kulturë, pa parti, pa të drejtë civile dhe shtetformuese(!) dhe pa rezerva të ndjeshme monetare, do të mbetet në të Majtën Moderne! Sipas kësaj llogjike, që buron prej pragmatizmit të politikës shqiptare, vetëm atëherë do të marrë kuptim koncepti i pluralizmit në këtë vend.

Mbase kështu dhe vetëm kështu ka për të ndodhur. Vendasit e sotëm, njerëzit që duan aq sa dhuron Zoti, aq sa mundëson natyra dhe atë që lejon ligji do të vazhdojnë të befasohen edhe më tej, përderisa e tërë lufta politike në Shqipëri duket se bëhet nën sloganin që qarkullon si shaka pluraliste e patëkeq: jo se ne nuk vjedhim, por ata të tjerët vjedhin më shumë se ne! Politikanët që ngjiten në shtet, besojnë se kaq ishte misioni i tyre përballë popullit: më tej ata do të mendojnë thjesht për veten e tyre. Më tej u duhet të përfitojnë edhe për kohën që nuk do të jenë më në pushtet!

Si për ta shtyrë më tej ngjashmërinë me historinë e dikurshme të kolonizimeve, atje shfaqen edhe banda që me njëra-tjetrën luftojnë, por pronën e “indianëve”, vendasve, vjedhin. Janë në modë premtime të skajshme, tensionim i skajshëm, projekt-gjyqe të ardhshme për hajdutët e palës tjetër, por askush nuk çon ndërmend të nxjerrë së paku njërin prej hajdutëve të sërës së vet. Droga dhe narkopolitika, sidoqoftë janë gjëra të reja për këtë vend. Një shkrimtar shprehej së fundi, se në të vërtetë kjo është shenjë rritjeje, ndryshimi, qytetërimi, por më vonë me siguri ka për ta qartësuar vëzhgimin e tij me letërsi të realizmit romantiko-tragjik.

Shqiptarët e zakonshëm, të ndershmit, ata që duan punën dhe të mirat e saj, po kthehen në minoritet. I nënshtrohen logjikës se ligjin dhe zbatimin e tij e bën mazhoranca, dhe ushqehen me shpresën se kur të mbetet një minimum i patjetërt shqiptarësh të ndershëm, që do të pranojnë fatin e tyre të lindur më vonë se ditën e lindjes së tyre, shteti e politika shqiptare do të bëjë atë që është bërë prej kohësh në Amerikë për indianët. Shqiptarët do të konsiderohen si specie e rrallë, e privilegjuar, diçka muzeale, e respektuar si puna e relikeve në muzetë e mëdhenj të Perëndimit, ose si puna e monumenteve në Lindje! Por nuk kanë për të pasur fatin e ca monumenteve të sotme që herë rrëzohen nga njëra politikë e herë nga politika tjetër...

Kur lexon historinë e Kanadasë gjen të shkruara edhe ca të vërteta jo aq të këndshme (në lidhje me joshjen e emigrantëve, bie fjala) por që s'mund të mos thuhen sot. Për historiografinë shqiptare do të tingellonin naivitete, "të rrezikshme për t’u shkruar". Historia e shkruar shqiptare ka fare pak pika takimi me të vërtetat historike, madje nuk është reflektuese as per të shkuarën. E sotmja mbetet e paqartë dhe aspak inspiruese, nëse e shkuara ende nuk eshte e kthjellet.

Kudo shqiptarët, në radhë të parë ata që "e vuajnë atdheun në mërgim", ndihen keq. Ata ndodhen perballë pasqyrës së realiteteve të vendeve ku janë dhe psheretijnë se "si mund të ishte atdheu". Ndërsa për shqiptarët që "e vuajnë atdheun në vend" të besohet se ata janë, në thelb, emigrantë.

Me perjashtim të "neokolonizatorëve", politikanëve të tranzicionit tonë!


Albanian TRIBUNE, 17 korrik 2004