Ne që nuk pajtohemi me mënyrën si u trajtua gegërishtja letrare dhe kultura gege nën totalitarizëm, a duhet vallë të na vrasë ndërgjegjja kur flasim dhe shkruajmë shqipen standard të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972?
Që prej shkrimeve të mirënjohura të Arshi Pipës, asnjëherë nuk janë reshtur zërat se vetë standardi përmban në vetvete një padrejtësi të rëndë e të dhimbshme ndaj gegërishtes, prandaj ka nevojë të rishikohet, ose rithemelohet, në emër të një drejtësie sociale në kulturë si tipar të shoqërisë demokratike duke u ndërtuar në Shqipëri e gjetiu ku flitet shqipja.
Për një numër të madh kontestuesish të standardit, rigjallërimi i gegërishtes së shkruar dhe rishikimi i normave letrare të shqipes së sotme janë dy anë të të njëjtit problem. Sipas këtyre, jo vetëm totalitarizmi e përçau keqas kulturën shqiptare duke ia zënë gojën përbërëses së saj gege, por edhe vetë flijimi i gegërishtes në themelet e ngrehinës së shqipes normative do marrë për një ritual kriminal e barbar, që e ka komprometuar me kohë statusin etik dhe kulturor të standardit.
Po a është vërtet kështu? A i trashëgon standardi vetë mëkatet e totalitarizmit kulturor të Enver Hoxhës? A mund të përligjet ligjërata, ta zëmë, e një Ismail Kadareje, ose Dritero Agolli, ose Rexhep Qosje përtej bojkotimit që iu bë Fishtës e Koliqit në letrat shqipe?
Natyrisht, standardi u krijua gjatë viteve të diktaturës, mbi baza të toskërishtes letrare, por edhe duke trupëzuar disa elemente të gegërishtes letrare. Gjatë shekullit XX, toskët ishin treguar politikisht dhe kulturalisht më agresivë sesa gegët; dhe kjo që para ardhjes së komunistëve në pushtet. Fatet politike të Shqipërisë së Pasluftës II Botërore u vendosën në Jug dhe shumë prej pushtetarëve të dalë prej luftës ishin me origjinë toske.
Ky dominim i toskëve në historinë e Shqipërisë së shekullit XX kërkon studime të posaçme për t’u interpretuar drejt e për t’u vendosur në kontekstin që i përket. Çka ngre peshë në argumentin tonë, është se marrja e pushtetit prej komunistëve toskë dhe vendosja e toskërishtes letrare në themel të shqipes standard janë efekte të së njëjtës prirje historike.
Përkundrazi, dhuna e ushtruar ndaj gegërishtes letrare në vitet 1945-1970, e cila pati për rezultat shkatërrimin e një trashëgimie kulturore shumëshekullore të mrekullueshme, nuk bën pjesë në atë qerthull efektesh, por do parë më tepër si pasojë e stalinizmit ideologjik të udhëheqjes komuniste shqiptare. Gegërishtja dhe kultura gege u luftuan ashtu siç u luftuan, para së gjithash, sepse ishin truall pjellor i katolicizmit shqiptar; ose i një sistemi të cilin komunistët e Tiranës nuk mund ta toleronin kurrsesi.
Detraktorët e standardit sot mundohen të argumentojnë se jo vetëm shkatërrimi i kulturës gege, por edhe vetë struktura e standardit parakupton një fyerje ose atentat ndaj përbërëses gege në kulturën shqiptare. Ky është një argument delikat, por që meriton të shqyrtohet në shumë anë. Që standardi u mbështet mbi një dialekt, dhe pikërisht mbi atë dialekt që flitej edhe nga pjesa më e madhe e pushtetmbajtësve në Shqipërinë e Pasluftës II, kjo nuk përbën në vetvete ndonjë skandal - as politik, as kulturor. Historia e gjuhëve të shkruara, anembanë globit, dëshmon se elitat rëndom luajnë rol përcaktues në zgjedhjen e dialektit që do t’i shërbejë si bazë standardit gjuhësor.
Megjithatë, standardizuesit e shqipes nuk ishin vetëm ideologë, por edhe njohës të mirë të shqipes së folur e të shkruar. Një gjuhëtari stalinist si Androkli Kostallari, për shembull, nuk mund t’i mohohet erudicioni i gjerë as kompetenca e pashoqe në lëmin e sociolinguistikës dhe të planifikimit gjuhësor - dhe kjo pavarësisht nga diatribat e Arshi Pipës.
Kur u hartua Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, një nga parimet themelore të përzgjedhjes së fjalëve ishte ai i gjithëpërfshirjes, ose i nevojës për të kooptuar në standard të gjitha ato njësi leksikore (fjalë e frazeologji) që i sillnin diçka shqipes, si instrument dhe formë të kulturës shqiptare. Vetë Fjalori u përpilua nga një grup specialistësh leksikografë, të cilët shfrytëzuan një bazë të dhënash unike, vjelë nga botimet, fjalorët dhe drejtpërdrejt nga goja e popullit: në Toskëri dhe në Gegëri.
Kushdo që i hedh një sy fjalësit të një Fjalori (listës së kryefjalëve), nuk mund të mos vëjë re se, në vetvete, shumë prej fjalëve nuk e kanë të shkruar në ballë se cilit dialekt i përkasin. Fjalë si shikoj, qepë, peshqir, orkestër, sobë, pjepër, dollap, flamur e mijëra të tjera si këto, perceptohen si fjalë thjesht shqipe pa ndonjë etiketë dialektore të dallueshme. Në përgjithësi, karakteristikat e njërit dialekt ose të tjetrit shprehen më qartë në strukturën fonetike ose gramatikore të gjuhës, në një kohë që kur është fjala për leksikun, shpesh vetëm specialistët dialektologë janë në gjendje të gjykojnë përhapjen gjeografike të kësaj apo asaj fjale.
Njëkohësisht, shqipja është pasuruar në mënyrë marramendëse gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit, për shkak të nevojës për terminologji teknike, por edhe si pasojë e rritjes së pashoqe të numrit të botimeve (duke përfshirë edhe, e sidomos, përkthimet, të cilat e vënë shqipen ballë për ballë gjuhësh të tjera, të lëvruara prej shekujsh). Një pjesë e madhe e këtij pasurimi leksikor të detyrueshëm ka ndodhur brenda formave gjuhësore të standardit, në kuptimin që për fjalë të tipit ballkanizim ose naftësjellës nuk mund të thuhet nëse janë të gegërishtes ose të toskërishtes.
Në këto rrethana, pretendimi i shumë detraktorëve të standardit se shqipja e Kongresit Drejtshkrimor të vitit 1972 ka lënë jashtë pasuri leksikore të paçmuara të gegërishtes është i mbështetur në një mit në rastin më të mirë, dhe në një mistifikim, në rastin më të keq.
Pikësëpari, Kongresi Drejtshkrimor nuk hartoi lista fjalësh, por miratoi rregulla të drejtshkrimit e të gramatikës, si dhe një politikë gjuhësore të caktuar për praktikën dhe imponimin e standardit gjuhësor. I pari fjalor madhor i shqipes standard, botuar në vitin 1980, shfrytëzoi rregullisht dhe gjerësisht materiale të gegërishtes, duke përfshirë vepra të Fishtës, fjalorin e shoqërisë “Bashkimi” dhe të tjerë fjalorë specifikë të dialektit geg. Shqetësimi kryesor i hartuesve të fjalorit ishte jo aq prejardhja ose biografia e fjalëve të përfshira, por numri i paktë i këtyre fjalëve, në krahasim me fjalorë të ngjashëm të gjuhëve të tjera.
A mbetën jashtë fjalë të gegërishtes? Natyrisht që mbetën. Kriteret praktike të zgjedhjes së fjalësit ishin të tilla, që i jepnin përparësi fjalës vendëse ndaj fjalës së huaj, neologjizmit ndaj huazimit, fjalës më të përhapur ndaj fjalës më pak të përhapur. Por nuk mund të mohohet se, në kushte përndryshe të barabarta, një fjalë toske do të privilegjohej ndaj një fjale gege; pse toskërishtja ishte më afër standardit se gegërishtja, ose edhe thjesht ngaqë grupi drejtues i hartimit të fjalorit mbizotërohej nga gjuhëtarë toskë.
Megjithatë, zhurma që po bëhet sot për shpërfilljen e fjalëve gegërishte, ose, përkundrazi, “grabitjen” e tyre nga toskërishtja, vepron më shpesh si perde tymi, duke e maskuar realitetin. Le të mos harrohet se, deri në fund të shekullit XIX, shqipja ishte një gjuhë e folur nga një popullsi kryesisht fshatare, me një ekonomi primitive dhe një kulturë folkloristike. Një pasuri leksikore që i përgjigjet asaj gjendjeje nuk mund të gjente përdorim aq lehtësisht në kushtet e kulturës qytetëse të gjysmës së dytë të shekullit XX. Sa për të sjellë një shembull: a mund të konsiderohen si “pasuri” ato dhjetra, në mos qindra emërtime bagëtish sipas larave, ose ngjyrës së qimes?
Çka autorët e Fjalorit nuk ngurruan të bëjnë, ishte përshtatja ndonjëherë artificiale e fjalëve gegërishte ndaj strukturës fonetike të standardit: një fjalë si shtatzanë, tipikisht veriore, përfundoi e kooptuar në sistem si shtatzënë; njëlloj, i poshtnuem u shndërrua në i poshtëruar, e kështu me radhë (duke mbajtur parasysh se toskërishtja vetë nuk i ka pasur këto fjalë). Për puristët, dhe detraktorët e standardit, akte të tilla inxhinierimi leksiko-fonetik mbeten të papranueshme.
Veç kësaj, fatet e leksikut specifik të gegërishtes u ndikuan në masë të madhe nga venitja e letërsisë gege, për shkaqe thjesht politike (në mos policore), pas vitit 1945. Statistikat e botimeve të kësaj kohe janë thjesht e dërrmueshëm në favor të toskërishtes; çka don të thotë se edhe para vitit 1972 publikut i jepej një letërsi e shkruar kryesisht në dialektin jugor, nga shkrimtarë e përkthyes kryesisht toskë. Fjalori i 1980-ës, për nga vetë mënyra e konceptimit të tij, e pasqyroi edhe këtë situatë, në thelb artificiale, të raportit të forcave midis dy dialekteve, në arenën kulturore shqiptare.
Mirëpo të nisesh që këtej, për të nxjerrë me thonj e me dhëmbë përfundimin se leksiku i shqipes standard u varfërua qëllimisht, duke lënë jashtë pasuri të paçmuara të gegërishtes, do të thotë të biesh pre e një sugjestionimi mitik, në mos manipulativ. Nëse shqipja edhe sot e kësaj dite ka vështirësi të mëdha për t’u përballur kënaqshëm me gjuhë të tjera kulturash të lëvruara, kjo nuk ka të bëjë aq me politikën gjuhësore të Enver Hoxhës e të Androkli Kostallarit, sesa me varfërinë relative të shqipes letrare vetë.
Tek e fundit, është absurde të mendohet se fjalorët akademikë janë përgjegjës për hedhjen në qarkullim ose bojkotimin e qëllimshëm të kësaj apo asaj fjale; internimin e saj brenda fondit të vjetëruar të leksikut, ose rehabilitimin e saj para apo pas vdekjes. Si mund ta kryejë këtë funksion subversiv një fjalor njëgjuhësh? Fjalët futen në përdorim prej përdoruesve të gjuhës, dhe këta fjalët që përdorin nuk i gjejnë fjalorëve, por i kanë dëgjuar ose lexuar prej përdoruesish të tjerë! Vetë fjalori, pavarësisht nga pretendimet preskriptive, fotografon një gjendje gjuhësore të caktuar; dhe vendimi për ta izoluar e më pas shkallmuar traditën kulturore gege veriperëndimore në Shqipërinë totalitare nuk ishte aspak rezultat politikash sociolinguistike.
Prandaj argumenti i “varfërimit” që përdorin detraktorët e standardit nuk është argument i mirëfilltë. Një pjesë e mirë e këtyre kritikëve, kohët e fundit, e kanë zhvendosur vëmendjen nga nevoja - krejt legjitime - e lëvrimit të gegërishtes letrare dhe gjallërimit të traditës prestigjioze të letërsisë gegërishte, për t’u përqendruar në sulme shpesh donkishoteske dhe amatoreske ndaj standardit. Në Kosovë, këto sulme nuk janë pa lidhje me lëvizjen e atjeshme për distancim e pavarësi nga Shqipëria dhe kanë legjitimitetin e tyre; në Shqipëri, përkundrazi, duan marrë më tepër si shprehje mllefesh të vjetra, pakënaqësish ndërkrahinore, vizionesh arkaike të raporteve midis krahinizmit dhe politikës.
Standardi i shqipes nuk është as i përkryer, as i dështuar; por një instrument i vyer në duart e të gjithë atyre që duan ta ruajnë unitetin politik të Shqipërisë, madje edhe unitetin kulturor të shqiptarëve. Vetë tradita kulturore gege do të mund të ringjallet për bukuri jo vetëm duke u lëvruar drejtpërdrejt dhe krahas shqipes normative, por edhe duke vazhduar të integrohet gjerësisht në standard, ashtu siç edhe po veprohet nga shqipeshkruesit më në zë - shkrimtarë dhe përkthyes. Përtej kundërshtimit të disa grupeve skajore, periferike dhe në thelb revanshiste, nuk ka asnjë pengesë objektive për këtë proces emancipimi, i cili do t’i sjellë shqipes të shekullit XXI atë çka kultura demokratike shpresohet t’i sjellë Shqipërisë vetë.
Albanian TRIBUNE, 17 korrik 2004