Në procesin e përfaqësimit të etnitetit në Kanada, për të cilin çdo komunitet etnik ka mundur të imponojë një platformë të caktuar, pavarësisht nga diferencimet e tyre politike të brendshme, nuk mund të fshehim se ne shqiptarët jemi disi të vonuar. Janë aktualisht tre shoqata shqiptare në Toronto në veprim; secila ka simpatizantët, statutin dhe, për më tepër, “vulën” e saj. Të tre shoqatat mëtojnë legjimitetin e tyre, arrijnë me sadopak peshë të ngrejnë me disa tone zërin e tyre në qeveri, në publik dhe në komunitet. Pasuesit e tyre, shqiptarë nga Shqipëria, trevat e Maqedonisë dhe të Kosovës, të cilët ndihen larg atdheut të tyre, largohen akoma më tepër në shtetin ku çdo komunitet përfaqësohet nga një zë i vetëm. Për hir të ndjenjave karshi dheut amë, dhe ndjenjave të “gjakut të prishur” në dheun mikpritës, anëtarë të devotshëm të çështjes shqiptare në mërgim përçojnë me dinjitet e patriotizëm idenë e një bashkimi të mundshëm të tre shoqatave tona.
Ky bashkim do të sjellë organizim më serioz të shqiptarëve në Kanada, unitet për çështjet madhore kombëtare, dhe fuqizim të identitetit shqiptar këtu. Ideja është ideale, por ka disa faktorë që ushqejnë hezitime. Një bashkim i tillë kërkon sakrifikim të disa paralelizmave që ftohen të harrohen. Gjithashtu mund të kërkohet rrafshim i disa statuteve në një të vetëm, të detyruar, ndoshta, për çdo organizëm i cili aktualisht është i pavarur nga të tjerët. Më e vështira, si mund të thjeshtëzohen disa mendje aventuriere që nuk janë të qarta në vetvete, e nuk janë të qartë as me atë ç’ka bënë në të kaluarën.
Nëse do t’i ktheheshim për një moment historisë shqiptare, për të kërkuar ngjarje të tilla, domethënë përpjekje bashkimi, shumë njolla të mugme ndjekin kuvendet dhe lidhjet e të gjithë llojeve. Realiteti shqiptar... Brenda harqesh kohore janë ofruar kulminacionet më spektakolare në eposin e dhimbjes shqiptare. Ky realitet i fali qytetarit shqiptar gjithë potencialin e zhgënjimit, dëshpërimit, vuajtjes, humbjes së shpresës për një botë më të mirë.
Duke u kthyer në Toronto, paraqitet një pjesë e re në kapitullin e bashkimeve të historisë shqiptare. Atdhetarë të vërtetë, që si të tillë na japin mësime edhe ne të rinjve, hodhën një hap për bashkimin e tre shoqatave tona këtu. Ishte nisma e shkodranit Rifat Dajti, një ndër pionerët e gazetarisë shqiptare, botues i shumë artikujve e studimeve për Kosovën. Mesoburrë në moshë, me dinjitet e pasion djaloshar, ai diti jo vetëm t’a shtrojë këtë ide, por edhe të grumbullojë rreth vetes atdhetarë të tjerë të çështjes shqiptare, për të arkitektuar organizimin e përbashkët të shoqatave.
Me pak fjalë, takimi u zhvillua më 11 korrik, në Black Eagle, me 21 vetë, me praninë e aktivistëve të radios, programit televiziv, të Tribunës, dhe sidomos me praninë e shoqatave: shoqata e bashkësisë shqiptaro-kanadeze, si dhe ajo kosovare shqiptaro-kanadeze. U ndje mungesa e shoqatës Ilirida.
Shoqatat shqiptare në Kanada kanë mundur të hedhin hapa për çështjen tonë, sidomos nëse kemi parasysh indiferencën tonë për t’u aktivizuar në shoqatat shqiptare. Por e parë nga jashtë shoqatave, këta hapa janë të vegjël dhe të paktë. Duhet punë e madhe për të përfaqësuar çështjen shqiptare në Kanada, domethënë për të fituar simbiozën e propozuar të shoqatave. Dhe për këtë duhet një lidership i fortë.
Duke parë se përpjekjet për bashkim dalin nga jashtë tre shoqatave, të gjithë pyesim: a mund të bashkohen tre shoqatat shqiptare? Tribuna i mirëpret të gjithë, si një mënyrë bashkimi.
Në qoftë bashkimi i shoqatave nuk arrihet, prapë mendoj se përpjekje të tilla duhen përqafuar e vlerësuar. Publikimi i përpjekjeve për bashkim do të thotë se veç diferencimeve, mes nesh ka dhe ndarje të pamerituara. Veç “pavarësive” ka varje të fuqishme, herë aparente e herë të maskuara. E drejta për të qenë “i pavarur” duhet filtruar brenda varësisë së të qënurit shqiptar.
Në parim asnjë nga ne do të mohonte një sugjerim bashkimi. Është koha që ne t’i japim një dimension e kuptim të ri kësaj çështjeje. Në fund të fundit këtë deshën atdhetarët tanë të shquar, njerëzit e nderuar me të cilët krenohemi: të mos shkulim nga vetja atë pjesë të historisë sonë që iu përcillet brezave.
Ky mision u la në vullnetin e lirë të shoqatave në fjalë, të cilin ne e përcjellim tek të gjithë bashkatdhetarët, duke shpresuar se në një ditë jo të largët do të përmbushet “ëndrra” shqiptare në Kanada.
Albanian TRIBUNE, 17 korrik 2004